E Diel, 1 Nëntor 2026

Sanksione për deputetët që do të mungojnë në mbledhje grupi

26/07/2010 Partia Socialiste harton rregulla të reja për disiplinën e brendshme

Të gjithë deputetët që do të mungojnë në mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së, do të penalizohen me sanksione të ndryshme. Janë këto ndryshimet më të fundit që po i bëhen rregullores së grupit parlamentar të Partisë Socialiste nga krerët e saj. Në bazë të rregullores së re, duhet të kesh një arsye të fortë, në rast se mungon në mbledhjet e grupit pa lajmëruar, ndërsa për të tjerat duhet të marrësh leje gjashtë ditë para.

Arsyet

Sëmundjet ose fatkeqësitë janë të vetmet arsye që do të tolerohen tani e mbrapa, pas daljes së rregullores së re, pa lajmëruar. Sa për të tjerat, pra arsye të tjera që mund të jenë familjare apo pune, duhet të marrësh leje paraprake tek kryetari i grupit. Mungesat e vazhdueshme dhe thyerja e rregullores, sipas burimeve nga PS-ja, do të kenë sanksione të rënda, megjithëse nuk specifikohet qartë se cilat janë ato. Një opsion është dhe largimi nga partia i deputetëve që thyejnë sistematikisht rregulloren e re. Të njëjtat burime shtojnë se masa të tilla aplikohen nga të gjitha partitë anëtare të PSE-së (Partitë Socialiste Evropiane), duke saktësuar se mungesa në mbledhjet e grupit është mungesë serioziteti nga ana e deputetëve. Si anëtare e këtij grupimi, edhe Partia Socialiste shqiptare ka vendosur të adaptojë mënyrën e simotrave evropiane për deputetët e pabindur.

Deputetët e LMN-së

Por, megjithëse reklamohet si huazim i mënyrës së drejtimit nga partitë evropiane, sërish duket se sanksionet e reja bëhen për të goditur në një farë mënyre deputetët e LMN-së, të cilët kanë dalë hapur kundër praktikave të kryetarit. Deputetë, si: Andis Harasani, Marko Bello apo Kastriot Islami, përherë e më rrallë po duken në mbledhjet e grupit, dhe në ambientet e Partisë Socialiste, duke preferuar që konfrontimin me kryetarin ta bëjnë nëpërmjet mediave e jo në mbledhjen e grupit. Kjo sjellje duket se nuk mund të tolerohet nga ana e krerëve të PS-së. Sa për deputetët e tjerë, ata janë treguar më korrektë me pjesëmarrjen në mbledhjet e grupit parlamentar dhe në vendimet që merr ky forum.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›