E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmenët “kurnacë”u kapën se shitën heroinë të papastër

26/07/2010 Prokurori Besnik Muçi shkatërron rrjetin e ndërtuesve që trafikonte droge

Dosja e plotë nga dërgesat në Itali nëpërmjet emigrantëve, shitja tek mafiozët e Milanos, pallatet e “pista” në Vlorë dhe fundi: Pranga ndërtuesit në zyrë, 4 të tjerët po pushonin

Mariglen Mullai

TIRANË- Mania për të shitur sa më shumë mall të përzier, duke përfituar të njëjtën sasi eurosh sikur të qarkullonin heroinë të pastër, ka qenë shkaku kryesor që një grup i mirëorganizuar trafikantësh lëndësh narkotike të shkatërrohej prej hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Burime të besueshme nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije për gazetën “Metropol” se ndërtuesi i fuqishëm vlonjat Arben Veliko ishte nyja ndërlidhëse mes bashkëqytetarëve të tij dhe tropojanëve (përfaqësuar nga Dritan Jahelezi), të cilët së bashku dërgonin heroinë nëpërmjet trageteve dhe ua dorëzonin grupeve kriminale, përgjegjëse për shpërndarjen në Milano. E faktuar mbetet sasia prej 11 kg heroinë e kapur, ndërsa ky grup dyshohet të ketë mundësuar dërgesa të bollshme drejt Italisë, duke shfrytëzuar kryesisht emigrantë të rregullt, të cilëve u paketohej heroina në çantë. E kështu bosi vlonjat Veliko as që e kishte imagjinuar se mëngjesin e djeshëm edhe pse e shtunë, mu në derën e zyrës së tij të kompanisë së ndërtimeve (3 pallate në pronësi dhe rreth 50 apartamente), do të shfaqeshin ekspertët e policisë për ti vënë prangat. Ca të tjerë ishin me pushime në Sarandë, kurse ata që mbetën u prangosën në disa lokale në Vlorë, teksa pushonin. Kësisoj, ky grup i dyshuar si kriminal, përgjegjës për dërgesa të mëdha droge në Itali, duhet të japë shpjegime edhe rreth financimeve të pallateve, pasi dyshohet se pastrimi i parave të drogës mundësohej pikërisht në ndërtim. Aktualisht është vënë në punë edhe struktura e posaçme që verifikon asetet kriminale dhe deri më tani kanë dalë dyshimet e para rreth investimeve të dyshimta në ndërtim.

Të arrestuarit dhe aktivitetet

Në prangat e policisë kanë përfunduar, Arben Veliko, 43 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, ndërtues, Latimir Hoxha, 37 vjeç, lindur dhe banues në Mbrostar të Fierit, në pronësi biznes tregtie në Mbrostar të Fierit, si dhe po verifikohen disa biznese në Sarandë, Panajot Dhiamandi, 35 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, ndërtues, Sokol Kashta 47 vjeç lindur dhe banues po në Vlorë, ndërtues dhe Dritan alias Orges Jahelezi, 33 vjeç lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë”. Prokurori Besnik Muçi, si drejtues i këtij operacioni, kryesisht organizuar në Tiranë e me ndihmë nga italianët, shpjegoi dje në një konferencë për shtyp detaje të këtij operacioni, ndërsa në krahë të tij qëndronin Edmond Rizai, drejtori i luftës kundër krimit të organizuar në Ministrinë e Brendshme, si dhe përfaqësues të palës italiane. Në daljen për shtyp, prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, teksa gëzonte frytet e punës së tij dyvjeçare, kurorëzuar me operacionin “Ndërtuesi” shpjegoi për publikun se “arrestimi i të sipërpërmendurve u bë në kuadër të hetimeve për procedimin penal Nr. 28/1 të vitit 2008, (Operacioni Ndërtuesi) të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Të arrestuarit janë të dyshuar për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 283/a/2 i Kodit Penal. Hetimet për këtë procedim penal kanë filluar në vitin 2008 si një hetim proaktiv, mbi bazën e akteve të veçuar nga një procedim tjetër penal. Për hetimin është bashkëpunuar në policinë e shtetit me Drejtorinë Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale. Faktet objekt hetimi i referohen periudhës kohore të muajit dhjetor 2008. Disa shtetas shqiptar në territorin shqiptar kanë bashkëpunuar me shtetas shqiptar në territorin italian dhe kanë mundësuar trafikimin e një sasie heroine. Në sajë të bashkëpunimit me autoritetet italiane është bërë e mundur që në datën 17.12.2008 në Milano të Italisë të sekuestrohet një sasi prej 11,85 kg lëndë narkotike e llojit heroinë dhe të arrestohen në flagrancë shtetasit shqiptar Julian Kajdo dhe Eduart Toshkollari. Ky operacion konsolidon së pari bashkëpunimin e suksesshëm ndërkombëtar sidomos me autoritetet kompetente italiane dhe gjithashtu rikonfirmon bashkëpunimin e frytshëm të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe drejtoritë përkatëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në suksesin e operacionit ka dhënë ndihmesën e vet zyra e Bashkëpunimit Policor Italian në Tiranë (Interforcë). Operacioni për ekzekutimin e urdhrave të arrestit është kryer nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda”.

Prishja e pazarit për cilësinë e drogës

Askush nuk e di me saktësi se sa do kishte vazhduar tregtia e heroinës nëse ky grup kriminal nuk do të tregohej edhe aq tahmaqar në përzierjen e dendur të drogës me lëndë të tjera si kafeinë e paracetamol. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se deri dhjetorin e 2008-ës gjithçka ishte në rregull: droga shitej me 10 mijë euro kilogrami, ndërsa blerësit (dyshohet se pala përgjegjëse e shpërndarjes ka nëndegë të mafies italiane) ishin të kënaqur sepse malli u shitej shpejt. Por një gabim kushtoi gjithçka. Dërgesa e fundit qëlloi me përzierje të lartë e me cilësi të ulët, ndaj blerësit nisnin të lëviznin levat e tyre spiunuese për të hequr qafe shitësit. Një sinjalizim edhe në territorin shqiptar ndezi shkëndijën e operacionit, ndërsa numërohen me dhjetëra kërkesa dërguar gjykatës nga Prokuroria për përgjime telefonash dhe survejime. Më tej u njoftua edhe pala italiane, e cila mbante nën kontroll situatën e hetimeve në tokën e tyre. Arben Veliko dhe Dritan Jahelezi ishin dy pikat kyçe të pazareve e dërgesave, pasi vlonjati Veliko shfrytëzonte aktivitetet e tij si ndërtues dhe mundësonte dërgesën e heroinës, ndërsa tropojani Jahelezi kishte njohje të forta në tregun vlerës ku bashkëqytetarët e tij kanë një influencë të madhe në Milano, si dhe njohje të fuqishme me grupe mafioze. Të arrestuarit ishin mbajtur nën vëzhgim nga skuadrat e operacioneve speciale prej ditësh dhe vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm është dhënë urdhri për hyrjen në aksion. Biznesmenët shqiptarë ishin në listën e shumë të kërkuarve nga autoritetet italiane në hetim për trafik ndërkombëtar droge. Policia italiane dyshon se të arrestuarit kryenin pastrimin e parave, duke investuar para nga grupi kriminal që vepronte në Itali. Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë nisur verifikimin e pronave të personave të arrestuar, të cilat do të jenë objekt hetimi për origjinën e të ardhurave për ndërtimet apo bizneset që kanë ngritur.

Në datën 24 korrik 2010 janë ekzekutuar urdhrat e arrestit për shtetasit:

Arben Veliko, i biri Ali dhe Androniqi, i datëlindjes 25/08/1967, lindur dhe banues në Vlorë, ndërtues (u kap në zyrën e tij në Vlorë)

Dritan alias Orges Jahelezi, i biri Feriz dhe Nurie, i datëlindjes 20/01/1977 lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë ( u kap në Tiranë)

Latimir Hoxha , i biri Hakik dhe Shpresa, i datëlindjes 27/09/1973 lindur dhe banues në Mbrostar Fier, në pronësi biznes tregtie në Mbrostar të Fierit, si dhe po verifikohen disa biznese në Sarandë ( u kap duke pushuar në Sarandë)

Panajot Dhiamandi, i biri Spiro dhe Eftihia, i datëlindjes 03/08/1975, lindur dhe banues në Vlorë, ndërtues ( u kap në baret e Vlorës)

Sokol Kashta, i biri Neki dhe Lumturi, i datëlindjes 11/07/1970 lindur dhe banues në Vlorë, ndërtues (u kap në baret e Vlorës)

Të arrestuar më 17 dhjetor 2008

Julian Kajdo

Eduart Toshkollari

Precedenti, 21 shkurt 2010

“Lindja e diellit” zbuloi 36 anëtarë të rrjetit

shqiptaro-italian, qindra kilogramë nisur prej 2005-ës

TIRANE- Trafikantët ndërkombëtarë të hashashit preferonin lindjen e diellit për të lënë në brigjet e Salentos në Itali skafet me drogë e për rrjedhojë operacioni për kapjen e 36 anëtarëve të këtij rrjeti u kodua “Lindja e diellit”. Sipas dokumentacionit të ardhur nga Prokuroria e Leçes, anëtarët shqiptarë të rrjetit në bashkëpunim me grupe kriminale greke, italiane e belge kanë mundur të trafikojnë në brigjet e shtetit fqinj një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, e cila nga përllogaritjet kap shifrën e 1 ton e 300 kg marjuanë, si dhe 10 kg heroinë. Ndërsa për sa i përket anës financiare ajo kap shifrën e 2 milionë eurove. Në total janë prerë 35 urdhër arresti, ku deri tani janë ekzekutuar 23 prej tyre. Nëntë persona, janë proceduar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, midis të cilëve 5 janë vënë në pranga dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia e shtetit. Mësohet se Mareglen Hallka dhe Fatbardh Kapllanaj, dy nga 5 të arrestuarit aktualisht ndodhen në burg, pasi janë arrestuar në vitin 2007 gjatë operacionit të koduar “Vjosa 2007”. Ndërkohë që tre personat e tjerë të vënë në pranga quhen Pilo Zanaj, Daniel Likaj dhe Artur Demaj, që të gjithë lindur dhe banues në fshatin Kaninë të Vlorës. Operacioni për shkatërrimin e këtij rrjeti kriminal është shtrirë në katër shtete si: Shqipëri, Greqi, Itali dhe Belgjikë vende këto ku grupi nëpërmjet korrierëve të ndryshëm trafikonte dhe shpërndante drogën në gjysmën e shteteve evropiane. Hetimet kanë treguar se lënda narkotike, mblidhej në disa zona pranë gadishullit të Karaburunit në Vlorë, si dhe një pjesë tjetër transportohej nga fshati Lazarat që njihet ndërkombëtarisht për kultivimin e marjuanës.

Bllokohen 70 doza heroinë, gjashtë në pranga, një në kërkim

“Punto 2” kap nënën kapobandë Saraçi

“punësoi” dy fëmijët si shpërndarës heroine

BERAT- Nëna kishte angazhuar dy fëmijët e saj, djalin e vajzën në shpërndarjen e heroinës, duke i sjellë familjes përfitime të majme. Policia e Beratit ka bllokuar parmbrëmë 70 doza lëndësh narkotike të llojit heroinë, ndërkohë që janë vënë në pranga gjashtë persona dhe u shpall në kërkim një tjetër. Burime zyrtare të policisë Beratit bëjnë me dije se nga ana e strukturave të seksionit kundër narkotikëve pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut të Beratit është bërë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Punto 2”, operacion i cili kishte si qëllim goditjen e një grupi trafikantësh droge, të cilët vepronin prej muajsh në këtë qytet. Kështu, në bazë të hetimeve dymujore të sektorit të antidrogës është finalizuar operacioni me prangosjen e Tonet Saraçi, 28 vjeç, banues në këtë qytet, 26-vjeçarja, G, Saraçi, motra e tij, si dhe nëna e tyre LL, Saraçi, 51 vjeçe. Së bashku me pjesëtarë të familjes Saraçi në pranga kanë rënë dhe Soni Daja, 25 vjeç, Oltjon Marini, 31 vjeç, Marko Bazati, 29 vjeç, të gjithë banorë të këtij qyteti, ndërkohë që është shpallur në kërkim Dritan Memolla, banues në qytetin e Durrësit. Të gjashtë këta persona akuzohen se prej kohësh ishin pjesë e një trafiku droge që vepronte në qytetin e Beratit. Rreth orës 14:00 të pasdites së dy ditëve më parë në vendin e quajtur “Kombinat” gjatë një kontrolli të ushtruar nga strukturat e seksionit kundër narkotikëve të bërë në autobusin e linjës Tiranë-Berat janë kapur në flagrancë shtetasit Soni Daja dhe vajza 26 vjeçare G, Saraçi. Gjatë kontrollit fizik që u është bërë dy të rinjve mësohet se ata kishin me vete 70 doza droge, të llojit heroinë, të cilat me pjesëtarë të tjerë të këtij grupi mësohet se më pas do të tregtoheshin në qytetin e Beratit. Për këtë hetim mësohet se Prokuroria e rrethit të Beratit së bashku me sektorin e antidrogës mësohet se kishin nisur hetimet që prej dy muajsh. Ditën e djeshme përveç sasisë së drogës policia bllokoi në cilësinë e provës materiale dhe 115.700 lekësh të reja, si dhe pesë telefona celularë. Materialet e kësaj çështje i kaluan Prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme, ndërkohë që personat e ndaluar do të përballen me veprën penale të “prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike”.

S. Gorrica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›