E Diel, 1 Nëntor 2026

Sannino: Raporti i ODIHR-it, vlerësim për rolin e partive në zgjedhje

Drejtori i Zgjerimit në BE, Stefano Sannino ka theksuar sot se, raporti përfundimtar për zgjedhjet vendore do të pasqyrojë dhe rolin specifik që ka pasur çdo forcë politike në mbarëvajtjen e tyre.

Në një takim me kryeministrin Berisha, Sannino theksoi rëndësinë e madhe që zgjedhjet vendore kanë për Shqipërinë jo vetëm në planin e brendshëm por dhe në atë të integrimit.
 

Drejtori i BE ka mbështetur miratimin sa më të shpejtë të Planit të Veprimit theksoi nevojën për arritjen e një metodologjie për trajtimin e përbashkët të problematikave që shtrojnë 12 prioritetet dhe rëndësinë për të ruajtur vëmendjen dhe ritmin e punës në procesin e integrimit evropian edhe pas zgjedhjeve.

Gjatë takimit, kryeministri Sali Berisha siguroi bashkëbiseduesit se qeveria do të bëj çdo gjë që është në dorën e saj për të garantuar suksesin e procesit të integrimit. Kryeministri Berisha mbështeti plotësisht bashkëpunimin e Ministrisë së Integrimit me Komisionin për Integrimin të Kuvendit duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që ky Komision luan në këtë proces.

Duke folur për procesin zgjedhor, kryeministri e njohu drejtorin e BE me një seri masash të marra në kuadër të përmirësimit cilësor të procesit zgjedhor të tilla si; miratimi i listave të zgjedhësve të pastruara nga duplikatat, personat më shumë se 100 vjeç dhe ata që kanë lënë shtetësinë, miratimin e ligjit për financimin e partive politike, urdhrin e fundit të kryeministrit për ndalimin e përdorimit të automjeteve shtetërore dhe aseteve publike në funksion të fushatës zgjedhore, etj.

Nga ana tjetër, Berisha dënoi incidentet e ndodhura gjatë fushatës duke theksuar se nuk ekzistojnë shkaqe për tensionimin e fushatës. Ai theksoi se do të vazhdojë ti kërkojë të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor që të shmangin dhe distancohen nga çdo akt dhune dhe tensionim i fushatës zgjedhore.

“Kryeministri riafirmoi qëndrimin se Partia Demokratike dhe kandidatët e saj do të bëjnë një fushatë pozitive të bazuar në vlera dhe të fokusuar tek qytetari dhe komunitetet vendore pavarësisht se zoti Rama dhe Partia Socialiste e bazojnë fushatën e tyre në sulme ndaj mazhorancës dhe kandidatëve të saj dhe përpiqen ti paraqesin zgjedhjet jo si zgjedhje administrative por me karakter politik”, njofton zyra e shtypit e Kryeministrisë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›