Topi: Turqia është një vend mik i Shqipërisë

Në përfundim të ditës së dytë të Samitit të 14-të Ekonomik Euro-Aziatik që po zhvillohet në Stamboll, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha një intervistë për Radio-Televizionin Turk (TRT), në të cilën theksoi rëndësinë e rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik.
“Unë kam rastin të specifikoj marrëdhëniet me Turqinë, një vend mik, vëlla, që i është gjendur Shqipërisë në momente shumë të vështira, por edhe në ditë të mira. Kështu që ndihem shumë mirë që jam në Stamboll sot dhe ky Samit i ka dhënë një kuptim të veçantë kësaj vizite” deklaroi Topi.
Ndër të tjera, Topi vlerësoi mbështjen që i ka dhënë Turqia Kosovës dhe që e ka mbështur në rrugën e saj.
“Kosova është një shtet i ri, i cili është mëvetësuar në shkurt të vitit 2008. Ka një numër të konsiderueshëm njohjesh nga vende të rëndësishme dhe sigurisht që ne presim që të njihet edhe nga më shumë vende”.
Natyrisht duke qenë një shtet i ri, Kosova ka edhe problemet e veta, kryesisht ekonomike. Ka pasur edhe disa ndryshime të shpeshta për shkak të disa problemeve kushtetuese. Sidoqoftë institucionet e shtetit të ri të Kosovës janë funksionale dhe unë besoj që ato forcohen çdo ditë e më tepër. E rëndësishme është që Kosova është projektuar si një shtet i ri, modern, me parime të forta të demokracisë, një shtet multi-etnik dhe me një vizion të qartë euro-atlantik. Jam i bindur që të gjithë së bashku në rajon, qoftë Shqipëria, qoftë Turqia do ta mbështesin Kosovën në këto sfida të rëndësishme” tha me tej Topi.