E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarajevë, shënohet 20 vjetori i fillimit të rrethimit

Është përkujtuar në Sarajevë 20-vjetori i rrethimit të vendit nga forcat serbe. “Kujdes, snajperi”! Kjo ka qenë fjalia më e përdorur në Sarajevë për 1395 ditë. Rrethimi i Sarajevës me datën 5 prill 1992 nuk do të harrohet kurrë nga kryeqytetasit e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sarajeva, 20 vjet më parë, u rrethua nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe, të cilat për 1395 ditë ekzekutuan 11 541 persona, ndër të cilët më shumë se 1500, ishin fëmijë. Edhe gjatë ditës, Sarajevasit të premten do të përkujtojnë rrethimin që zgjati më shumë se sa rrethimi i çdo qyteti europian gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pas 20 vjetësh, një pllakë përkujtimore prej guri në urën e qytetit afër ndërtesës së parlamentit përkujton viktimat e para të pafajshme boshnjake. Banorët e Sarajevës të cilët nderuan viktimat në urën Vrbanja shprehen indinjatën e tyre ndaj vrasjes së këtyre personave të pafajshëm, ndërsa thonë se nuk kanë një vend të bashkuar, për të cilin kishim shpresuar, dhe se nuk po jetojnë në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Ata shtojnë se vdekja e mijëra njerëzve nuk arriti asgjë”.

Më 6 prill 1992, Bashkimi Evropian pranoi pavarësinë e Bosnjës dhe kjo datë shënon fillimin zyrtar të luftës. Dy grupe etnike, myslimanët dhe kroatët, donin pavarësinë, ndërkohë që serbët donin të ishin pjesë e federatës jugosllave të dominuar nga serbët. Kjo mosmarrëveshje u bë shkak për shpërthimin e luftës. Lufta përfundoi në nëntor të vitit 1995 pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në Dejton të Ohajos.

Marrëveshja e ka ndarë vendin në Federatën Myslimano-Kroate dhe Republikën Serbe, të cilat kanë qeveri dhe parlamente të ndara por me institucione federale të përbashkëta. Ekspertët e mjekësisë ligjore ende zbulojnë varreza masive, dëshmi e gjenocidit, kampeve të përqëndrimit dhe krimeve të luftës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›