E Hënë, 2 Nëntor 2026

Saranda dhe Korfuzi, miq apo rivalë turistikë? Bashkëpunim, por edhe sfida në tregun turistik

Vetëm 17 milje detare i ndajnë Sarandën dhe Korfuzin një afërsi që shpesh është parë si një mundësi për të ndërtuar ura bashkëpunimi në fushën e turizmit. Për Sarandën, ky afrim ka shërbyer si model dhe si frymëzim për të ndjekur shembullin e zhvillimit të turizmit në ishullin grek.

Sipas kreut të industrisë së turizmit në jug të vendit, Arben Çipa, fqinjësia ka funksionuar si një marrëdhënie miqësore, nga e cila janë iniciuar ide të përbashkëta me impakt pozitiv në zhvillimin turistik të zonës.

“Të dyja palët në bashkëpunim, iniciojmë ide të reja përball partnerëve tanë të tretë, të cilët kanë dhe burimin e turistëve dhe në këtë kuadër e kemi parë që ka funksionuar”, u shpreh Çipa.

Por përtej bashkëpunimit, Saranda dhe Korfuzi operojnë në një hapësirë të përbashkët turistike dhe konkurrojnë pothuajse në të njëjtin treg. Sipas Çipës, kjo rivalitet është më e dukshme në industrinë e kroçerave, ku ishulli Grek mban ende epërsinë.

“Ajo që quhet ende konkurrencë është industria e kroçerave, ku Korfuzi si një destinacion që ndodhet shumë pranë Sarandës, pretendon të ofroj këtë infrastrukturë dhe kapacitetet i ka”, tha ai.

Sipas ekspertëve, është koha që Saranda të adoptojë më shumë nga modeli i suksesit të fqinjit përballë dhe ta shndërrojë këtë rivalitet në përfitim të ndërsjellë, nëpërmjet strategjive të përbashkëta, investimeve dhe një qasje më efikase nga bizneset dhe qeverisja vendore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›