E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sarandë, Basha prezanton pikat e projektit: President nga populli, vetting në politikë, lista të hapura për deputetët

Lista të hapura; vetting në politikë; kufizim të mandateve; vota e diasporës; zgjedhja e Presidentit nga populli. Këto janë 5 pikat e një projekti që ish- kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka prezantuar gjatë një takimi në Sarandë, me demokratë të këtij qyteti.

Sipas tij, Partia Demokratike, me këto 5 pika,  do t’i prijë një aleance gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët shoqërorë, për një projekt ndryshimi që “nis me adresimin e çështjeve që mbajnë të bllokuar sistemin politik dhe atë ekonomik”.

“Sot Shqipëria e ka nevojë jetike pastrimin e politikës, ndarjen e saj me krimin dhe largimin nga sistemi i politikanëve të korruptuar. Vetting-u i politikanëve është edhe mënyra për të çrrënjosur modelin e baltosjes, duke treguar me fakte se kush është i korruptuar e kush jo, kush është peng e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, kush mbron interesat e oligarkëve e kush jo.”- ka argumentuar Basha kërkesën e tij për vetting-un në politikë, duke e vlerësuar atë si një nga pikat kryesore të këtij projekti.

Sipas tij, nuk është e lehtë, por është dëshmia e parë e cila ndan ata që kanë frikë nga vetting-u, me ata që s’kanë asgjë për të fshehur.

Hapjen e listave për kandidatët për deputetë, Basha e argumenton se është zgjidhja më e mirë pasi deputetët duhet ti zgjedhin qytetarët dhe jo kryetari.

Kjo, sipas tij, është garanci për krijimin e një qeverie dhe Parlamenti që do të jetë në shërbim të qytetarëve.

“Kjo është edhe mënyra më e mirë për të ndalur njëherë e mirë kapjen e shtetit, që siç po ndodh sot, pas legalizimit të vjedhjes përmes Inceneratorëve, check-up, tenderave dhe koncesioneve korruptive, që po i hap rrugë legjitimimit të kanabisit për llogari të grupeve kriminale, apo “burgosjes” për studentët e mjekësisë me ligje anti-kushtetuese.”- theksoi Basha në fjalën e tij me demokratët në Sarandë.

Takimi në qytetin jugor është pjesë e një turi takimesh që Basha po zhvillon thuajse në të gjithë Shqipërinë, si pjesë e garës për kryetar të PD-së që do të zhvillohet me 29 korrik 2023.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›