Zgjedhjet në Rrogozhinë/ Memolla dhe Hoxha sërish në garë, Celibashi: Nuk është cënuar integriteti i procesit të votimit

Procesi i votimit për kryetarin e bashkisë së Rrogozhinës ka nisur normalisht në orën 7:00 të mëngjesit. Rreth 33 mijë qytetarë të bashkisë Rrogozhinë do t’i drejtohen këtë të diel qendrave të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e tyre.
Përballë janë dy kandidatët, ai i Partisë Socialiste, Edison Memolla dhe i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.
Zgjedhjet mbahen vetëm për kryetarin e bashkisë, për shkak se Kolegji konstatoi në hetimin gjyqësor se rezultati i 14 majit ishte aq i ngushte sa mund të cenohej nga numri i votave që mbante një kuti votimi. 54 qendra votimi janë vënë në dispozicion të qytetarëve.
Shkak për ripërsëritjen e procesit u bë kutia e votimit në institucionin e vuajtjes së dënimit në Rrogozhinë, ku rezultoi se numri i votave ishte më i madh se ai i diferencës mes dy kandidatëve. Ndryshe nga 14 maji, të burgosurit nuk do lejohen të votojnë për shkak të afateve kohore.
Ndërsa për Këshillin Bashkiak, fituese është Partia Socialiste me 9 mandate dhe diferenca mes partisë qeverisëse dhe opozitës është shumë më e thellë se në rastin e garës për kryebashkiak.
Procesi ka nisur në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllet në 19:00 të mbrëmjes.
Zhvillimet minutë pas minute
Ora 3: 30/ Deri në këto momente 31% kanë votuar për zgjedhjen e kryebashkiakut, krahasuar me një orë më parë, sipas gazetares së RTSH Amela Koçerri vihet re një ulje e pjesëmarrjes së qytetarëve drejt qendrave të votimit.
Ora 14:30/ Gazetarja Sonila Agostini raporton nga Sinaballaj e cila ka 2 qendra votimi dhe 800 zgjedhës. Kreu i komisionit QV Sinaballaj tha për RTSH se procesi ka nisur dhe vijuar normalisht. Për më shumë ai tha se presim pjesëmarrje më të lartë se ajo në zgjedhje e 14 maji.
“Procesi i votimit është hapur normalisht dhe ka vijuar ashtu. Kanë votuar mbi 200 qytetarë. Presim më shumë votues sesa ato të zgjedhjeve me 14 maj”.
KQZ bën me dije se 30.69% pjesëmarrja e votuesve deri në orën 14:00.
Ora 13: 35/ Gazetarja Amela Koçerri raportoi se ka shkuar deri në 30% pjesëmarrja e votuesve, ndërsa procesi ka shkuar pa asnjë problematikë.
Ora 13: 20/ Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pas inspektimeve në Rrogozhinë ka vlerësuar shkallën e lartë të pjesëmarrjes në votim. Në një lidhje me gazetaren Sonila Agostini, Celibashi tha problematikat e deritanishme, nuk cenojnë integritetin e procesit të votimit ndërsa tha që votimi do të vijojë edhe pas orës 19:00 nëse do të ketë votues.
Për më tepër Celibashi u shpreh optimist për raportin final i OSBE- ODIHR për zgjedhjet e 14 majit.
Ora 12: 00/ Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nga Rrogozhina ka deklaruar se procesi zgjedhor ka shkuar mirë ndërsa është ndalur edhe tek 2 incidentet e raportuara, atë të fotografimit të votës dhe praninë e personave të pa autorizuar në ambjente e qendrave të votimit. Celibashi kërkoi nga komisioni i QV-ve raportimin e çdo problematike që hasin, ndërsa kërkoi nga qytetarët të zbatojnë Kodin Zgjedhor.
“Fotografimi i votës dhe votimi familjar janë të ndaluara dhe përbëjnë shkelje, por do të vazhdojmë të adresojmë çdo problematikë. Komisioni i QV ka të drejtë të raportojë çdo problematikë që has , apo për prani të personave të pa autorizuar. Nuk ka pasur problem me identifikimin elektronik. Qytetarët të zbatojnë kodin zgjedhor“, tha Celibashi.
Po ashtu, Celibashi përsëriti thirrjen ndaj kandidatëve që të shmangin thirrjet propaganduese dhe të respektojnë në mënyrë rigoroze heshtjen zgjdhore.
Ora 11:30/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tërhequr vëmendjen e përfaqësuesve politik dhe kandidatëve që të respektojnë heshtjen zgjedhore dhe solemnitetin e ditës së votimit.
Në një reagim KQZ shprehet se “sot është dita e qytetarëve që kanë të drejtën e zgjedhjes dhe se deklaratat politike cënojnë standardet e procesit zgjedhor dhe janë në shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor“.
Gjithashtu, KQZ tërheq vëmendjen e Komisioneve të Qendrave të Votimit që të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të mos lejojnë persona të paautorizuar në Qendrat e Votimit.
Pasi siç thuhet në reagimin e KQZ “në QV dhe rreth tyre lejohen vetëm zgjedhësit, vëzhguesit e akredituar dhe stafi teknik i KQZ”.
Sipas KQZ deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime është rritur 24.11%.
Ora 10:40/ 17.65% e qytetarëve kanë hedhur votën deri më tani.
Ora 10:00/ Raportohet një rast fotografimi, në QV 2232, ku komisionerët mbajtën procesverbal dhe ja raportuan KQZ. Kjo ka sjellë ndërprerjen për pak të procesit të votimit, megjithatë në tërësi, procesi i votimit ka vijuar normalisht.
Nënkomisionerja Shtetërorja e Zgjedhjeve Lealba Pelingu, për RTSH 24 tha se procesi po shkon normalisht, përpos disa shkeljeve të vogla të raportuara. Në një lidhje live për RTSH24 ajo tha se ka pasur ndërprerje të vogla për shkak të mosmarrëveshjeve mes anëtarëve të QV-ve. Po ashtu në QV në qarkun Lekaj është raportuar për prani të personave të paautorizuar. Por në përgjithësi ajo e konsideroi shumë mirë mbarëvajtjen e procesit të votimeve në bashkinë e Rrogozhinës.
Sipas KQZ raportohen 11.83% të votuesve deri në orën 10:00.
Ora 9: 30/ Janë shtuar radhët e qytetarëve që i janë drejtuar qendrave të votimit ndërsa votimi vijon të kryhet pa probleme. Gazetarja e RTSH-së Sonila Agostini, që po ndjek zgjedhjet në Rrogozhinë tha se janë shënuar vetëm disa problematika të vogla, me të moshuarit, pasi kanë hasur probleme me shenjat e gishtërinjve, sakaq atyre i janë i janë marrë karta e ID për të vijuar më pas me votimin.
Krahasuar me zgjedhjet e 14 majit, përqindja e votuesve ka qenë shumë më e lartë pasi në këtë orar shënoheshin vetëm 1% ndërsa sot kjo shifër është pesë herë më e lartë. Sikurse tha gazetarja e RTSH-së Sonila Agostini, ndikim ka pasur edhe moti i nxehtë që ka bërë që qytetarët t’i drejtohen herët kutive të votimit.
Ora 9:00/ Sipas raportimit të gazetares së RTSH-së Amela Koçerri, 5.34 % shënohet pjesëmarrja në votim deri në orën 9:00, ndërsa nuk është raportuar asnjë problem, as me identifikimin elektronik.
/rtsh.al/