E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, kërcënohet me armë kandidati Stefan Çipa dhe 2 djemtë e tij

Një incident i rëndë ndodhi mbrëmë vonë në një lokal në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku u kërcënuan më armë kandidati socialist për bashkinë e Sarandës, Stefan Çipa, së bashku me dy fëmijët e tij, Jorgo e Marko Çipa.

Sipas rrëfimit që jep për “Shekullin”, bashkëshortja e kandidatit Stefan Çipa, në lokalin “Jesa”, dy fëmijët e kandidatit e saj, njëri 17 e tjetri 23-vjeç, së bashku me dy moshatarë, kanë qenë duke parë në një prej dy televizorëve të lokalit, një ndeshje futbolli.

Në një moment, Markoja, instiktivisht ka kthyer kokën në televizorin tjetër, ku në tavolinën poshtë monitorit, kanë qenë disa persona, si klientë të zakonshëm. Në një moment, nga kjo tavolinë është ngritur dikush, që nga familjarët është identifikuar si i ardhur nga Tirana me një “xhip” me targa të huaja disa orë para mitingut të kryeministrit Berisha në Sarandë dhe që është shoqëruar me disa zyrtarë vendas.

Ndërkohë, në këtë tavolinë është dëgjuar që dikush duke folur ne telefon, t`i ketë thënë një tjetri: Hajde se këtu janë! Ky person ka kapur Marko Çipën në kokë duke e mbërthyer më pëllëmbë dhe ia ka drejtuar me forcë kokën nga televizori tjetër, dukë i thënë kërcënueshëm: Shiko andej!.

Në këtë moment, mes tyre ka shpërthyer një debat, deri në momentin kur personi në fjalë i ka nxjerrë pistoletën djalit të kandidatit, duke e kërcënuar më fjalët: Do ju vrasim! Më pas, në lokal ka mbërritur kandidati Stefan Çipa, i njoftuar për situatën e rëndë të fëmijëve të tij, dhe kërkon të sqarohet me personin kërcënues.

Por dhe Çipës, ai i ka drejtuar pistoletën. Por ka qenë ndërhyrja e shumë personave të atyshëm që ngjarja nuk ka agravuar më tej.

Policia

Personat, mes të cilëve ka qenë dhe individi që ka kërcënuar, janë shoqëruar për disa orë në polici, por sipas familjarëve të Çipës, ata janë liruar pa asnjë pasojë. Ndërsa
bashkëshortja e Çipës denoncon për gazetën “Shekulli”, atë që e konsideron të qenit palë e policisë me personin që ka kërcënuar dhe shoqëruesit e tij.

Sipas saj, policia ka tentuar të ndryshojë dëshminë e të birit për ngjarjen në fjalë, gjë të cilën ajo e ka konstatuar vetë. Djali ka thënë se ngjarja ka vetëm motive politike, ndërsa policia ka tentuar ta ndryshojë në deklaratën zyrtare, duke shkruar se sipas dëshmisë së Marko Çipës, ai nuk mund ta përcaktojë motivin.

Dyshimet

Sipas familjarëve të kandidatit Stefan Çipa, personi që ka kërcënuar ka qenë nën shoqërinë e të vëllait të drejtorit të urbanistikës së Sarandës. Sipas tyre, dy fëmijët janë shembull në shkollë për edukatën dhe formimin që kanë dhe kurrë nuk u ka ndodhur të jenë përplasur me dikë, qoftë dhe për shkaqe moshe. Ata thonë se ngjarja ka sfond të pastër politik, pasi të fitosh Sarandën, do të thotë të fitosh mbi disa monopole, ku veçohet ai i ndërtimit.

Versioni i policisë

Ndërkohë, policia e Sarandës pohon në njoftimin e saj zyrtar se ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Adrian Andrea Papagjikës, vjeç 43, banues në Sarandë dhe Odise Çipës (nip i Stefan Çipës), vjeç 45, banues në Sarandë.

Në versionin e policisë, Papagjika, i cili ka qenë në shoqërinë e disa personave, dhe Odise Çipa, i shoqëruar nga dy djemtë e kandidatit Stefan Çipa, janë konfliktuar në një nga lokalet e qytetit dhe gjatë debateve janë goditur ndërmjet tyre, ku si pasojë ka mbetur i dëmtuar lehtë shtetasi Adrian Papagjika.

Gjithashtu, policia tha se “pas pretendimit të një kërcënimi me armë zjarri kundrejt shtetasit Stefan Çipa nga shtetasi Andrea Papagjika, në automjetin e shtetasit Andrea Papagjika si dhe banesat e personave me të cilët ka qenë i shoqëruar ky shtetas nuk është gjetur ndonjë send i kundërligjshëm”, por po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje./shekulli/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›