E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, parandalohet vrasja/ Arrestohen 5 persona, do kryenin vrasje në Gjashtë

Udhëtuan nga kryeqyteti drejt Sarandës të armatosur, me qëllim për të krye vrasje, por plani për atentat me silenciator u ndërpre para se të vihej në zbatim.

Policia thotë se ndërhyrja në kohë parandaloi një vrasje të mundshme, duke vënë në pranga dy persona që dyshohet se kishin mbërritur në qytetin bregdetar me objektiv të përcaktuar.

Sidorel Moriseni, 32 vjeç, dhe Alfred Kaja, 26 vjeç, u kapën në fshatin Gjashtë të Sarandës, pranë një lokali, në një zonë të pandriçuar, ku sipas policisë kishin nxjerrë armët nga automjeti dhe po qëndronin në pritje.

Gjatë kontrollit, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri, një silenciator dhe municione luftarake. Dyshimet e grupit hetimor janë se një prej armëve, e pajisur me silenciator, do të përdorej për kryerjen e atentatit.

Përveç dy të rinjve, policia arrestoi edhe tre persona të tjerë, Vitrin Hoxha, Vonis Poka dhe Franko Bobja, të dyshuar për moskallëzim krimi. Hetuesit dyshojnë se ata ndodheshin pranë Morisenit dhe Kajës dhe mund t’i kishin ndihmuar në largimin nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, provat e administruara deri tani forcojnë dyshimet se pesë të arrestuarit kishin mbërritur në Sarandë për një objektiv të përcaktuar, ndërsa ende nuk është bërë i ditur personi që dyshohet se do të ishte shënjestër e atentatit.

Të pestë të rinjtë rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë, kryesisht në fushën e narkotikëve. Ata kanë kyçur gojën para hetuesve gjatë marrjes në pyetje dhe askush nuk ka pranuar të japë deklarime apo të bashkëpunojnë se kë do vrisnin në sarandë dhe cili ishte objektivi I tyre.

/abcnews.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›