Sarandë, vijon procesi i legalizimeve për pallatin 7-katësh

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës po vijon zgjidhjen e çështjes së një pallati 7-katësh në qytetin e Sarandës, i ndërtuar në vitin 2013 dhe i përbërë nga 31 njësi banimi dhe shërbimi.
Sipas Kadastrës, deri më tani, 9 familje janë pajisur me vendimet e legalizimit për apartamentet e tyre, ndërsa për 22 njësitë e tjera procesi i regjistrimit vijon.
Banorët që nuk janë pajisur ende me dokumentacionin përkatës janë ftuar të depozitojnë pranë Drejtorisë Vendore të ASHK Sarandë dokumentet që disponojnë, me qëllim vijimin e procedurave për pajisjen me certifikatë pronësie.
Dokumentacioni i kërkuar përfshin kontratë porosie ose sipërmarrjeje, marrëveshje noteriale, si dhe çdo dokument tjetër që provon të drejtat mbi njësinë e banimit apo shërbimit.
Sipas ASHK-së, procesi synon përmbylljen e plotë të regjistrimit të objektit dhe garantimin e dokumentacionit të rregullt për të gjithë banorët.
/e.xh/j.p/r.e/