Sarkozi akuza per perfshirje ne nje skandal ilacesh
Presidenti francez, Sarkozi është përfshirë në atë që është konsideruar si skandali më i madh i çështjeve shëndetësore në dhjetëvjeçarin e fundit në Francë.
Qeveria dhe organizmi qeveritar rregullator për çështjet e shëndetësisë janë vënë nën akuzë për mbështetjen e shpërndarjes së një ilaçi për humbjen në peshë të njohur me emrin “Mediator”, që besohet se ka marrë jetën e 2000 njerëzve në Francë. Ky lajm është publikuar në gazetën e përditshme “Liberation”. Pacientët që kanë marrë derivativin e amfetaminës “Mediator” kanë ngritur një padi kundër “Servier”, kompanisë së dytë më të madhe farmaceutike në Francë. Kjo kompani e ka bazën aktualisht në lagjen e pasur pariziene, kryebashkiak i së cilës ka qenë Sarkozi. Një vit më parë, Sarkozi personalisht i dha urdhrin e famshëm të “Legjionit të Nderit”, shefit ekzekutiv të kompanisë, Zhak Servier.
Pas kësaj, politikanët e opozitës po kërkojnë hetime në lidhje me këtë rast, duke akuzuar qeverinë franceze se ka vënë shumë jetë në rrezik vetëm për të mbrojtur përfitimet financiare dhe biznesin e kompanisë farmaceutike. Besohet se 500 deri në 2000 persona kanë vdekur nga shqetësimet në zemër të shkaktuara nga medikamenti në fjalë. Ai u ndalua vetëm 30 vjet pas daljes në qarkullim, pra në vitin 2009. “’Mediator’ është përgjegjës për ‘një tmerr shëndetësor’ në Francë”, - ka deklaruar Irene Franchon, mjeke, që ka publikuar edhe një libër në lidhje me rreziqet e këtij ilaçi, që iu rekomandua jo vetëm njerëzve mbipeshë, por edhe grave të shëndetshme që donin të mos kishin oreks. Ideja e funksionimit të tij ishte shtypja që ato i bënin dëshirës për të ngrënë.
Ilaçi, i cili ka qenë i ndaluar për një kohë të gjatë në Shtetet e Bashkuara dhe u nxor “jashtë ligji” edhe në Spanjë në vitin 2006 për efektet e tij vdekjeprurëse, është konsumuar nga 5 milionë francezë që nga momenti i lëshimit të tij në treg në vitin 1976 e deri në vitin kur u hoq nga tregu, në vitin 2009.