E Diel, 1 Nëntor 2026

Akti normativ i buxhetit 2010 shtohet fondi per ish-pronaret

Vendimi Zbardhen ndryshimet e fundvitit. Tepricat, për shpronësime

Gazeta “Shqip” zbardh të plotë përmbajtjen e aktit normativ të qeverisë për buxhetin e shtetit 2010. Një ditë më parë u botua lajmi për kalimin e një fondi të ri prej 5 miliardë lekësh për ndërtuesit, ndërsa sot mësohet se do të përfitojnë edhe pronarët e tokave që preken nga ndërtimet publike dhe ish-pronarët që janë në pritje të kompensimit.

Duke iu referuar shpenzimeve deri tani si 11-mujor dhe pritshmërinë deri në fund të vitit, Ministria e Financave ka shtuar një fond prej 50 milionë lekësh për kompensimin e ish-pronarëve. Sipas Financave, ky veprim bëhet në kuadër të sistemimit të shpenzimeve të realizuara për 11-mujorin 2010. Një tjetër ndryshim i buxhetit lidhet me kalimin e tepricave të krijuara në thesar në zërin e shpronësimeve, kryesisht për ndërtimin e rrugëve. “Gjendja e mjeteve monetare, që do të rezultojë në fund të vitit buxhetor në llogarinë unike të thesarit, si rezultat i mosrealizimit të shpenzimeve ose tejkalimit të të ardhurave, të transferohet në llogarinë e shpronësimeve për interesa publike”, - thuhet në paragrafin e ri të shtuar në projektligjin e buxhetit.

Akti Normativ vjen në fund të çdo viti si manovër që rregullon diferencat e krijuara nga mosrealizimi i shpenzimeve. Konkretisht, si 11-mujor, shpenzimet arritën në rreth 316.5 miliardë lekë, nga rreth 335.5 miliardë të parashikuara për këtë periudhë, duke u realizuar në rreth 94.3% të parashikimit të periudhës. Krahasuar me planin vjetor, këto shpenzime janë realizuar në rreth 85.1%, ndërsa kundrejt të njëjtës periudhe të një viti më parë, shpenzimet buxhetore rezultojnë rreth 16.1 miliardë lekë më pak ose rreth 4.9% më të ulëta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›