E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi thirrje për investime në Irak

Bagdat - Presidenti francez, Nicolas Sarkozy mbërriti për vizitë zyrtare në Bagdat për të kërkuar mundësi për biznesin dhe një përmirësim të marrëdhënieve që nga ndërhyrja ushtarake e drejtuar nga SHBA-ja në vitin 2003, që Franca e kundërshtoi. Gjatë vizitës së parë të një presidenti francez në Irak, Sarkozy u takua me presidentin irakian, Jalal Talabani, si dhe zhvilloi bisedime me kryeministrin Nuri al-Maliki.

Dhuna ka rënë ndjeshëm në Irak gjatë vitit të kaluar dhe trupat amerikane po përgatiten të largohen nga qytetet dhe të tërhiqen plotësisht nga vendi në fund të vitit 2011. Në fund të janarit Iraku mbajti zgjedhjet më paqësore që nga rrëzimi nga pushteti i Saddam Hussenit.

Zyrtarët irakianë mendojnë se ka ardhur koha që kompanitë e huaja të investojnë, veçanërisht në fushat naftëmbajtëse, në një vend që ka rezervat e treta më të mëdha të naftës bruto në botë. Kompania franceze "Total SA" është ndër firmat më të kualifikuara që mund të kërkojë kontratë afatgjate për shfrytëzimin e fushave të naftës. "Situata nuk është e përkryer, por disa muaj më parë kush do vinte bast se unë do të vizitoja Irakun dhe liderët e tij", deklaroi Sarkozy gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin Talabani.

"U themi kompanive franceze se ka ardhur koha të kthehen në Irak", shtoi ai më vonë, gjatë një konference shtypi me kryeministrin Maliki, duke theksuar se zyrtarët francezë do të bënin një vizitë tjerët në Irak në verë me një delegacion biznesmenësh.

Maliki theksoi se firmat franceze nuk do të përballeshin me vështirësi për shkak të refuzimit të vendit të tyre për t'u bashkuar në luftën për të rrëzuar Saddamin nga pushteti. "Ata nuk do të fillojnë nga fillimi, pasi firmat franceze kanë një histori të gjatë në Irak", shtoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›