E Hënë, 2 Nëntor 2026

Scholz: Do të dërgojmë më shumë armë në Izrael

Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri të ditur se së shpejti Gjermania do t’i dërgojë më shumë armë Izraelit. Kjo deklaratë e kancelarit gjerman vjen në një kohë kur Gjermania kishte reduktuar dërgesat e armatimeve drejt Izraelit dhe qeveria po përballej me akuzat e opozitës se ka vonuar qëllimisht dërgesat drejt Tel Avivit.  

“Ne nuk kemi vendosur të mos i furnizojmë me armë. Ne i kemi furnizuar me armë dhe do t’i vijojmë t’i furnizojmë”, tha Scholz para parlamentit teksa u përkujtuan edhe viktimat e sulmit të Hamasit të 7 tetorit.

Kjo deklaratë e Scholzit ishte një kundërpërgjigje ndaj liderit të opozitës, Friedrich Merz, pasi ky i fundit akuzoi qeverinë se po vonon dërgesat e armëve në Izrael, duke përfshirë municione dhe pjesë rezervë tankesh.

“Për javë dhe muaj të tërë, qeveria federale ka refuzuar të japë leje për dërgimin e municioneve dhe madje edhe pjesë rezervë për tanke. Ne jemi të vetëdijshëm për disa raste specifike ku qeveria ka ndaluar miratimin për pajisjet dhe materialet që Izraelit i duhen urgjentisht për t’u mbrojtur”, tha Merz.

Miratimet e Gjermanisë për dërgesat e armëve në Izrael ranë ndjeshëm këtë vit, me vetëm 14.5 milionë euro, nga janari deri më 21 gusht, sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Ekonomisë.

Në vitin 2023, Gjermania miratoi dërgesat e armëve në Izrael me vlerë 326.5 milionë euro, duke përfshirë pajisje ushtarake dhe armë lufte, një rritje 10-fish nga viti 2022, treguan të dhënat nga ministria, e cila miraton licencat e eksportit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›