Scholz: Pushtimin rus në Ukrainë është një akt imperializmi, bota s’duhet ta pranojë

Kancelari gjerman Olaf Scholz, në fjalimin e parë në Asamblenë e OKB-së, kritikoi ashpër pushtimin rus të Ukrainës dhe bëri thirrje për bashkëpunim më të madh për të mbështetur rendin ndërkombëtar.
Scholz e quajti pushtimin rus të Ukrainës një akt “imperializmi” duke dënuar motivimin e Putinit për luftë.
“Nuk ka asnjë justifikim për luftën pushtuese të Rusisë kundër Ukrainës. Presidenti Putin po e bën këtë luftë me një objektiv të vetëm: të kapë Ukrainën”, tha ai.
Ai vazhdoi t’u bëjë thirrje vendeve anëtare të OKB-së që të mos qëndrojnë neutrale në situatë, duke nënvizuar armët bërthamore që Rusia ka.
“Ne nuk duhet të qëndrojmë duarkryq kur një fuqi e madhe bërthamore, e armatosur deri në dhëmbë, një anëtar themelues i Kombeve të Bashkuara dhe një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kërkon të ndryshojë kufijtë përmes përdorimit të dhunës,” tha Scholz.
Kancelari gjerman theksoi vazhdimisht rëndësinë e ruajtjes së një rendi botëror të bazuar në rregulla.
“Kthimi i imperializmit nuk është vetëm një fatkeqësi për Evropën, por edhe një fatkeqësi për rendin tonë global të paqes”, shtoi ai.
Ai tha se Putin rrezikon të shkatërrojë jo vetëm Ukrainën, por edhe vendin e tij me luftë. Më tej, ai kritikoi idenë që Rusia të mbajë referendume në pjesë të Ukrainës.
“Putini do të heqë dorë nga lufta e tij dhe ambiciet e tij imperialiste vetëm nëse e kupton se nuk mund të fitojë. Kjo është arsyeja pse ne nuk do të pranojmë një paqe të diktuar nga Rusia. Kjo është arsyeja pse ne nuk do të pranojmë asnjë referendum pretencioz. Dhe kjo është arsyeja pse Ukraina duhet të jetë në gjendje të mbrohet kundër pushtimit rus,” tha Scholz.
/rtsh.al/