E Diel, 1 Nëntor 2026

S’do lejojmë shndërrimin e Shqipërisë në protektorat droge e krimi të pushtetarëve të rinj

14-07-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha u përgjigjet mesazheve të 12 mijë miqve në Facebook: “Dorëheqja nga PD, si një betim i verës së vitit ’91 dhe nga ajo kohë nuk e kam vënë kurrë në diskutim”

Kryeministri Sali Berisha vijon të sqarojë dashamirësit dhe mbështetësit e së djathtës dhe vetë atij si ish lider rreth aktit të dorëheqjes nga drejtimi i PD. Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook Berisha thekson se vendimi i 26 qershorit është marrë si një betim prej tij në verën e vitit ‘91 dhe nga ajo kohë nuk e ka vënë kurrë në diskutim. Ndërsa hedh akuza drejt mazhorancës së re të dalë nga 23 qershori për përfshirje në radhët e saj të klaneve me te rrezikshëm të drogës dhe krimit në rajon dhe më gjerë, Berisha siguron militantët demokratë se opozita e ardhshme do qëndrojë së bashku në një betejë jetike për të mos lejuar shndërrimin e Shqipërisë në protektorat droge dhe krimi të pushtetarëve të rinj dhe ndëshkuar kështu rende çdo fëmijë, të ri, të moshuar, burrë, grua të këtij vendi.
Të dashur miq, së pari ju drejtohem me lutjen të më pranoni këtë mesazh si përgjigjen time më miqësore për secilin prej jush, mbasi me gjithë dëshirën shumë të madhe që kam që në traditën time t’ju përgjigjem, ashtu siç e meritoni, me mesazh të veçantë çdonjërit prej jush, praktikisht kësaj radhe e kam të pamundur.
Se dyti ju falënderoj me mirënjohje të thellë për mesazhet tuaja të njerëzishme, prekëse por dhe frymëzuese për mua. Ju në to keni derdhur dhe dëshmuar ndjenjat me te pastra e miqësore ndaj meje, keni shprehur si në poema të vërteta vlerësimin dhe krenarinë tuaj për arritjet e mëdha të vendit nën qeverisjen e PD, të cilat janë dhe te secilit prej jush dhe të çdo shqiptari. Ato nuk zhbëhen dot nga asnjë revansh dhe përbejnë një trashëgimi të shkëlqyer të Partisë Demokratike dhe të gjithë atyre që i besuan dhe i besojnë asaj. Në mesazhet tuaja thuajse të secilit prej jush, ju shpreheni kundër dorëheqjes sime dhe kërkoni që unë ta shqyrtoj përsëri vendimin tim.
Miqtë e mi, unë dhashë dorëheqjen jo nga emocione as dhe nxitim, por sepse nuk mund të merrja vendim tjetër. Kam qenë dhe jam thellësisht i bindur se ky ishte vendimi më i mirë për vendin tim, por edhe për PD, për mua dhe për ju, për çdo demokrat. Për mua dhe për ju miqtë e mi, thelbi i njeriut te lire dhe forca e tij prej anteu qëndron ne dinjitetin e tij. Unë ju garantoj se kurrë nuk e kam shkëputur dinjitetin tim njerëzor nga dinjiteti i atyre qe unë kam përfaqësuar si president i vendit, si Kryeministër, si Kryetar i PD. Unë dhashë dorëheqjen pikërisht sepse atë kërkonte dinjiteti im, dinjiteti i secilit prej jush, i PD dhe i vendit tim. Jam shumë i sigurt se me dorëheqjen time, secili prej jush, në çdo rast e në çdo betejë, do të ndjehet me dinjitoz me mikun tuaj Sali Berisha dhe më krenar me besimin, mbështetjen, dashurinë dhe respektin që keni treguar ndaj tij. Sikundër dua t’ju rrëfej sot haptazi se vendimi që shpalla me datë 26 qershor është marrë si një betim nga unë në verën e vitit ‘91 dhe nga ajo kohe nuk e kam vënë kurrë në diskutim.
Kur prin, kur udhëheq, duhet të ndërtosh jo vetëm sulmin e fitores, por duhet të parashikosh gjithnjë dhe tërheqjen në rastin e humbjes, si kushtin vendimtar që kjo e fundit të shndërrohet në sfidë për fitoren e radhës. Pra e kam dhënë dorëheqjen me bindjen më të thellë se unë dhe të gjithë ju vajzat dhe djemtë, burrat dhe gratë me dinjitet njerëzor dhe politik të pacenuar do të ngrihemi me koke larte me fuqishëm dhe me shpejt se gjithë te tjerët për te vazhduar betejën tonë. Unë dhashë dorëheqjen nga Kryetar i PD dhe funksionet tjera ne PD për te qëndruar në politikë, në Parlament dhe kudo me secilin prej jush çdo ore e çdo dite, 18 orë në dite për të organizuar së bashku me të gjithë forcën, përkushtimin, energjinë tone opozitën më të fuqishme që Shqipëria ka njohur ndonjëherë. Ne do të qëndrojmë avoketër të pamposhtur të parimeve dhe vlerave që besojmë dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, të atyre që na votuan ne dhe të atyre që besuan premtimet anti-globaliste të kundërshtarëve tanë, të cilët sapo morën votën nisën t’i zëvendësojnë premtimet e tyre me revanshin e papërmbajtur të pushtetit që lindi siç po duket çdo ditë e më shumë nga mashtrimi. Në gjirin e mazhorancës së dalë nga 23 qershori gjenden klanet tashmë me pushtet më të rrezikshëm të drogës dhe krimit në rajon dhe me gjerë. Ky nuk është një ogur i mirë për Shqipërinë. Ky është Ndryshim! Me vrap drejt krimit dhe drogës! Por ne do qëndrojmë se bashku ne një beteje jetike për të mos lejuar shndërrimin e Shqipërisë ne protektorat droge dhe krimi te pushtetarëve te rinj dhe ndëshkuar kështu rende çdo fëmijë, të ri, të moshuar, burrë, grua të këtij vendi.
Pra misioni ynë është i madh dhe jo i lehtë. Por ne demokratët dhe demokratët kemi qenë dhe jemi qytetarët e misioneve të mëdha! Përpara në misionin tonë!
Ju përqafoj secilin prej jush!
Miqësisht Sali Berisha

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›