E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Paloka: Ministrat, përgjegjës për humbjen e 23 qershorit

14-07-2013 / Gazeta 55

Kritikat për mazhorancën e re/Premtimet e së majtës rezultuan fasadë elektorale dhe jo projekte konkrete për qytetarët

Premtimet e së majtës ende pa ardhur në pushtet qeveria e re, rezultuan fasadë elektorale dhe jo projekte konkrete për qytetarët. Një prej zërave më të rëndësishëm në Partinë Demokratike, deputeti Edi Paloka thotë se këto po faktohen çdo ditë, duke filluar nga iniciativa për punësim nga selia e PS-së, kur ishte vetë PS që akuzonte qeverinë e djathtë për administratë të mbushur me militantë. Më tej, Paloka thotë se tashmë po faktohen si të pamundura edhe premtimet për taksën apo shërbimin shëndetësor falas që ishin karta për “rilindjen” e PS-së. “Janë mashtrimet e para që po dalin në shesh, pasi ishin absurde edhe si premtime, ishin krejtësisht të parealizueshme nga shëndetësia falas, heqja e taksave për 95%, heqja e TVSH për energjinë elektrike, taksën progresive etj., Duke përdorur dhe këtë variantin që gjoja s’po merremi vesh me LSI-në, tani fillojnë dhe bien një nga një. Mashtrimet kanë filluar t’i dalin pa u bërë ende qeveri. Por, problemet do t’i kenë me qytetarët, edhe atyre që u kanë blerë votën qoftë për 20 mijë lek, apo edhe për thes miell, pasi edhe thesi i miellit u ka mbaruar tashmë”- u shpreh Paloka. Iniciativa e kreut të PS, për prishjen e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare të jugut, për Edi Palokën është një farsë, pasi sipas tij bashkitë në këto zona janë drejtuar nga e majta dhe lejet e ndërtimit janë dhënë nga vetë krerët e këtyre njësive vendore. Paloka komenton edhe deputetin e zgjedhur tashmë në Vlorë, Koço Kokëdhima.
“Edhe kjo është pjesë e absurditetit dhe atyre shfaqjeve jo normale që bën Rama. Po prish ndërtimet pa leje në një qytet ku historikisht është drejtuar nga e majta. Po dëgjoja Koço Kokëdhimën që fliste në mënyrë parimore për ndërtimet që iu merrnin frymën qytetarëve në bregdet, por ndërtesat dhe pallatet më të mëdha dhe jashtë çdo standardi aty janë ato të ndërtuara nga Koço Kokëdhima”- thotë ai.
Po e djathta përse humbi? Sipas Palokës ka një sërë arsyes që fillojnë nga qëndrimi në kabinetin qeveritar të ministrave për 8 vjet, të cilët e shkëputën së bashku më drejtorët e emëruar prej tyre vëmendjen nga qytetarët dhe militantët. Madje sipas tij, ministrat arritën të bëheshin arrogantë edhe me deputetët, çka s’mund të krahasohej me qytetarët. Një tjetër ndëshkim për të djathtën erdhi për shkak të koalicionit me LSI-në në mandatin e dytë, ndërsa nuk përjashton si shkak për humbjen edhe listat e kandidatëve. “Këta ministra sollën pas tyre drejtorë të pandryshueshëm që krijuan një distancë dhe u bënë arrogantë jo vetëm me militantët e thjeshtë, por edhe me deputetët. Kur ishin arrogantë me deputetë, imagjinoni se si mund të ishin me qytetarët këta lloj drejtorësh. U krijua ideja që, unë jam në këtë vend dhe nuk më lëviz kush. Pastaj, ishte edhe një koalicion i detyrueshëm ai i 2009-ës. Sikurse fajtorët janë shumë, edhe lista e kandidatëve ka patur ndikimin e saj tek qytetarët”- theksoi Paloka.
Deputeti demokrat vlerësoi pozitivisht fushatën e dy kandidatëve për kryetar të PD-së si dhe platformat e tyre, ndërsa mirëpret idenë e partive të koalicionit që me zgjedhjen e lidershipit të ri, me fillimin e sesionit të ri parlamentar, partitë e djathta të krijojnë një formacion stabël të së djathtës shqiptare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›