Se mos na fiksohen këta tanët me këto karrige?
Presidenti i Kenias, Mwai Kibaki, hapi zyrtarisht punimet në sallën e re të parlamentit, që është rikonstruktuar plotësisht me një kosto prej 12 milion dollarësh.
Por kritika të shumta janë adresuar sidomos për karriget e reja të deputetëve. Secila prej tyre kushton rreth 3 mijë dollarë. Në total janë prodhuar 350 karrige, nën kujdesin e departamentit të burgjeve në vend.
Sipas BBC, fillimisht ishte parashikuar një tender me kosto 5 mijë dollarë për karrige, për një firmë të huaj. Më pas tenderi u anulua dhe tani kostoja zbriti në 3 mijë dollarë për karrige.
Kryetari i parlamentit, Keneth Marende i tha BBC se ky rinovim e sjell parlamentin në moshën dixhitale.
Tani secili nga deputetët do jetë i pavarur nga diktati partiak. Do ketë karrigen e tij, do e ndajë mendjen dhe vetëm do shtypë një buton, tha kryetari i parlamenti.
Ditën e parë në fakt pati një kaos pasi deputetët shtypnin butonat pa dashje, ose të tjerë nuk dinin të shtypnin butonat kur u kërkohej.
Secila karrige peshon 50 kilogram dhe ka një garanci prej 30 vitesh.