Seanca e ardhshme plenare do mbahet më 16 qershor, Bardhi-Spiropalit: Kuvendi nuk është plaçka juaj!

Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare miratoi sot mes debatesh me opozitën, kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në fund të këtij sesioni parlamentar.
Burimet nga mbledhja bëjnë të ditur se opozita ka kundërshtuar shtyrjen e seancës plenare për datën 16 qershor, të hënën që vjen, pasi ishte planifikuar më 12 qershor.
Deputetët e shumicës kanë votuar me shumicë kalendarin e ri të datave të mbajtjes së seancave plenare, pavarësisht kundërshtive të demokratit Gazment Bardhi, i cili, në emër të opozitës, tha se parlamenti nuk mund të drejtohet sipas interesave politike të një krahu të caktuar.
Deputetët konfirmuan për RTSH-në se seanca më e afërt plenare është ajo e 16 qershorit, kur edhe do të miratohet kalendari i seancave dëgjimore me institucionet kushtetuese.
Gazetare: Sonila Agostini
/rtsh.al/