Pikë e re e informacionit turistik në Lëpushë, synohet orientimi i vizitorëve në zonat e mbrojtura

Për të përmirësuar menaxhimin e turizmit në zonat e mbrojtura, ADZM Shkodër ka planifikuar zgjerimin e rrjetit të pikave të informacionit turistik për këtë sezon veror. Krahas zyrave ekzistuese në Velipojë dhe Theth, një pikë e re do të hapet për herë të parë në Lepushë të Kelmendit, një ndër destinacionet më të preferuara për turizmin malor.
“Duke parë trendin e viteve të kaluara me rritjen e numrit të turistëve në zonat e mbrojtura, kryesisht në Parkun Kombëtar të Alpeve, po mendojmë që një godinë në Lëpushë ta kthejmë në funksion të një zyre të informacionit mbi këtë zonë të mbrojtur. Kemi vendosur tabelat orientuese, treguesit e shtigjeve, por është e nevojshme dhe kjo zyrë informacioni”, tha Agim Dardha, drejtues i ADZM Shkodër.
Gjithashtu synim është krijimi i një sistemi më të mirë të informimit dhe orientimit të vizitorëve për të përmirësuar eksperiencën turistike, por njëkohësisht për të garantuar mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit në zona e mbrojtura.
“Në fokus është edhe mbajtja pastër e natyrës dhe kemi komunikime me bujtinat dhe agjencitë turistike për bashkëpunim. Është e pamundur që të gjitha shtigjet që frekuentohen nga turistët të kenë idealet e pastrimit, që do të thotë se natyrën duhet ta ruajnë vet ata që e vizitojnë”, tha drejtuesi i ADZM Shkodër.
Një tjetër aspekt i punës së ADZM Shkodër, në kuadër të sezonit, është edhe marrja e masave për parandalimin dhe menaxhimin e duhur, e në kohë, të rasteve të mundshme të zjarreve në zonat e mbrojtura.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/