E Hënë, 2 Nëntor 2026

Seanca e fundit e legjislaturës, flasin deputetët që lënë Kuvendin

Seanca plenare e kësaj të enjteje shënoi jo vetëm fundin e një legjislature, por edhe të rrugëtimit parlamentar për disa deputetë të mazhorancës dhe opozitës.

Shumë prej tyre folën me tone reflektimi, falënderimi dhe me një ndjenjë përgjegjësie për përfaqësimin që kanë dhënë.

Ermonela Felaj dhe Dhurata Çupi theksuan se politika është vazhdimësi, por rrënjët e tyre profesionale mbeten të lidhura me ligjin dhe drejtësinë.

“Që nga viti 2016 jam deputete. Fillon të kthehet edhe në profesion çështja e politikës. Unë jam eksperte modestisht e mirë e ligjit kështu që besoj [do të rikthehem] në profesionin tim,” tha znj. Çupi.

Toni Gogu dhe Denis Deliu, edhe pse nuk siguruan mandat, u shprehën krenarë për kontributin në legjislaturë, veçanërisht në lidhje me integrimin evropian dhe shërbimin ndaj publikut.

“Ndihem jashtëzakonisht i privilegjuar. Ka qenë një mandat ku jam përpjekur të shërbej dhe të përfaqësoj mirë zonën. Një përvojë e mrekullueshme në jetën time profesionale dhe gjithashtu i privilegjuar që të kem qenë pjesëtar i një legjislature që e ka çuar integrimin europian edhe një centimetër më tutje,” deklaroi z. Gogu.

Ndryshe, Nasip Naço e cilësoi veten “dielli që perëndon”, ndërsa Blerina Gjylameti la të kuptohet se mbetet aktive në sferën publike, pavarësisht rezultatit elektoral.

“Unë jam dielli që po perëndon në politikë. Shikoni diellin e mëngjesit. Faleminderit,” u shpreh z. Naço.

Ndërkohë, Monika Kryemadhi sinjalizoi një shkëputje të qartë nga politika, duke iu kthyer artit dhe kinemasë – një kalim jo vetëm profesional, por edhe emocional.

Ndonëse është seanca e fundit parlamentare, deputetët mbajnë mandatin e tyre deri në shtator, kur edhe konstituohet legjislatura e re e dalë nga zgjedhjet.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›