E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Seanca gjyqësore e Nju Jorkut, Trump ‘përgatitet për betejë’

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po “përgatitet për betejë”, përpara seancës së planifikuar në gjykatë ditën e martë. Kjo u bë e ditur nga avokati i tij.

Trump pritet të fluturojë për në qytetin e Nju Jorkut nga shtëpia e tij në Mar-a-Lago të hënën, për t’u përballur me akuzat në lidhje me pagesat e parave të padeklaruara për një yll pornoje.

Ai më pas planifikon të kthehet në Florida pas seancës gjyqësore, ku do t’u drejtohet mbështetësve të tij. Avokati i tij, Joe Tacopina, deklaroi se çdo akuzë ndaj ish-presidentit do të luftohet fuqishëm.

“Ai është dikush dhe do të jetë gati për këtë luftë,”- tha Tacopina në programin This Ëeek të ABC të dielën.

“Ne jemi gati për këtë luftë. Mezi pres ta vazhdoj këtë gjë sa më shpejt që të jetë e mundur për ta shfajësuar atë.”- tha ai.

Raportime në media kanë bërë të ditur se zoti Trump do të përballet me më shumë se 30 akuza, në lidhje me mashtrime në biznes për një pagesë prej 130,000 dollarësh për Stormy Daniels në 2016, si një përpjekje për të blerë heshtjen e saj për një aferë të dyshuar.

Burime të njohura me rastin kanë thënë për mediat amerikane se ish-presidenti akuzohet për falsifikim të të dhënave të biznesit në shkallën e pare, një vepër penale, sipas ligjit amerikan.

Detajet e akuzave, duke përfshirë edhe pagesat, mbeten të fshehta. Z. Tacopina ka thënë se ai vetë ende nuk i ka parë akuzat.

Trump thuhet se është takuar me këshilltarët e tij dhe ekipin ligjor për të planifikuar mbrojtjen përpara fluturimit për në Nju Jork të hënën.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit i kanë thënë partnerit amerikan të BBC-së, CBS Neës, se ish-presidenti do të shoqërohet nga anëtarë të Shërbimit Sekret amerikan gjatë rrugës së tij për në Nju Jork.

Ai pritet t’u dorëzohet autoriteteve të martën, në një seancë dëgjimore që do të zhvillohet në orën 14:15 me orën lokale në Manhattan.

Gjykatësi, Juan Merchan, do të kryesojë akuzën penale ndaj zotit Trump. Gjykata e Manhatanit do të mbyllet pasdite për seancën dëgjimore të Trump, tha avokati i tij. 

Ish-presidenti ka të ngjarë të mos vihet në pranga, por Tacopina shtoi se detaje të tjera të akuzës mbeten ende një mister.

“Kjo është e paprecedentë… Unë thjesht nuk e di se çfarë pres të shoh,” tha zoti Tacopina.

“Ajo që shpresoj është që të hyjmë dhe të dalim sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha ai.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit, përfshirë FBI-në, oficerët e gjykatës së qytetit të Nju Jorkut dhe Shërbimin Sekret, janë përgatitur për të martën.  NYPD gjithashtu thuhet se ka intensifikuar masat e sigurisë në pritje të ndonjë proteste në të gjithë qytetin.

Një tubim për zotin Trump me përfaqësuesen republikane të Dhomës së Përfaqësuesve, Marjorie Taylor Greene, është planifikuar për mesditën e së martës në Nju Jork, duke u bërë thirrje mbështetësve të bashkohen në “protestën paqësore” kundër aktakuzës.

Të martën, zoti Trump ka planifikuar të kthehet në Mar-a-Lago në Florida, pas seancës dëgjimore, ku ai ka thënë se do të mbajë një fjalim në orën 20:15.

Rreth një duzinë mbështetësish të tij ishin mbledhur jashtë shtëpisë së zotit Trump në Florida gjatë fundjavës, duke valëvitur flamujt dhe pankartat “Trump 2024”.

Trump, i cili kandidon sërish për president në vitin 2024, ka akuzuar prokurorin e qarkut të Manhatanit për “ndjekje politike”. Ai është presidenti i parë i SHBA që akuzohet për një krim.

Republikanë të tjerë, duke përfshirë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, kanë folur në mbështetje të zotit Trump dhe kanë akuzuar gjithashtu prokurorin e qarkut se ka fuqizuar sistemin e drejtësisë penale për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Në përgjigje, Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg tha se akuzat ishin ngritur nga qytetarë të Nju Jorkut, duke kryer detyrën e tyre qytetare dhe as ish-presidenti dhe as Kongresi nuk mund të ndërhynin në procedura. BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›