Seanca plenare e Kuvendit, shtyhet interpelanca me Kryeministrin Rama

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Kuvendi shtyu interpelancën me Kryeministrin Edi Rama, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Korenë e Jugut.
Në nisje të seancës së sotme plenare, ndërsa kreu i Kuvendit, Niko Peleshi paraqiti rendin e ditës, u shty për në datë tjetër interpelanca me Kryeministrin dhe me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, po ashtu për arsye pune.
Në seancën e sotme ishte planifikuar interpelanca urgjente e kërkuar nga një grup deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Demokratike me kryeministrin Edi Rama. Gjithashtu edhe deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri kishin kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Këta të fundit nuk ndodheshin në sallë kur Peleshi kërkoi paraqitjen e interpelancës pasi Kryeministri Rama ia kishte deleguar atë ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismaili.
Një tjetër interpelancë urgjente ishte kërkuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, e kërkuar nga deputetë të Partisë Demokratike.
Ndërkaq, Kuvendi vijon punimet me mbajtjen e dy interpelancave me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, të kërkuara nga deputetët e opozitës Erisa Xhixho dhe Saimir Korreshi.
Po ashtu, deputeti Erald Kapri ka kërkuar edhe një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në rend dite janë përfshirë edhe dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputeti Erion Braçe. Gjithashtu deputetja Ina Zhupa do të zhvillojë interpelancë më ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Më pas seanca do të vijojë me interpelancën me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, e kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Gjithashtu, seanca miratoi me 72 vota pro dhe punimet e kalendarit për datat 25 maj-12 qershor 2026.
Seanca plenare e Kuvendit, foto: Florian Abazaj 1 nga 5/r.e/