E Diel, 1 Nëntor 2026

Vokshi: Gogu deklarata të pavërteta për IBAR, ministri: Keni kontribuuar vetëm në ngecjen e procesit të integrimit

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, tha sot në Kuvend se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka dhënë deklarata të pavërteta në lidhje me raportin e Piketave të Ndërmjetme (IBAR).

Sipas Vokshit, dy ditë më parë, ende pa u shpërndarë mbledhja e COELA-s, ministri Gogu doli në një konferencë për shtyp dhe deklaroi se raporti IBAR ishte miratuar dhe i kishte kaluar Këshillit të Ambasadorëve, por sipas deputetes, kjo është e pavërtetë.

“Dy ditë më parë, ende pa u shpërndarë mbledhja e COELA-s, ministri Toni Gogu doli në një konferencë dhe dha lajmin se raporti i Piketave të Ndërmjetme, IBAR, ishte miratuar dhe i kishte kaluar Këshillit të Ambasadorëve. Si mundet një ministër të japë një lajm që nuk është i vërtetë, të mashtrojë publikun? Të paktën tre vende anëtare nga 27 kanë pasur probleme me grupkapitullin e parë. Ku janë 5 kapitujt, të cilët nuk e kanë miratuar, por e kanë shtyrë për të premten? Ministri vjen dhe shpërndan lajme të pavërteta. Si mundet të mashtrojë publikun? Të dalë dhe të kërkojë falje. Ditën e premte, me shpresë, do të miratohen në Këshillin e Ambasadorëve”, tha Vokshi.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha se gjatë konferencës për shtyp ai mbrojti punën e institucionit të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij, Gogu tha se opozita në procesin e integrimit “ka kontribuuar në 8000 akuza të ngecjes së procesit”.

“Dola në konferencë për shtyp për të informuar për punën e palodhur të kolegëve të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e ndërmjetësimit të piketave të ndërmjetme. Ka qenë një proces 18-mujor intensiv, ku kolegët e Ministrisë së Drejtësisë, kanë arritur të dërgojnë në Bruksel 8000 faqe. 90 takime kanë ndodhur në Bruksel, 70 institucione janë koordinuar në Shqipëri për të dorëzuar ato rezultate faktike që janë duke u shqyrtuar nga grupi i punës dhe vendimmarrësit. Shpjegova se si procesi është dinamik dhe lëviz, nuk ngec, dhe gjatë kohës që kolegët e Ministrisë së Drejtësisë dhe të gjitha institucioneve të pavarura të drejtësisë punonin që shteti shqiptar të progresohej dhe të çonte 8000 faqet, më vjen keq që juve keni kontribuuar në 8000 akuza të ngecjes së procesit”, u shpreh Gogu.

“Si ka mundësi që smira juaj politike ndaj progresit të një shoqërie të tërë, sepse jeni i vetmi formacion shoqëror që shkoni mbrapa, sepse shkoni 36 vjet mbrapa dhe jeni i vetmi formacion shoqëror që nuk pasqyroni progresin e Shqipërisë drejt standardeve evropiane, ndërkohë që Shqipëria ecën? Ju vini këtu dhe ngrini një sërë akuzash. Kjo ka lidhje me smirën që ju bën ju të mos shikoni sesi progreson Shqipëria dhe jeni i vetmi formacion shoqëror në Shqipëri që është mbërthyer 36 vite përpara dhe ka ngecur atje, në standardet e korrupsionit madhor, të ndërhyrjes në pavarësinë e sistemit gjyqësor, në standardet e një shteti të kapur, jeni ju”, tha Gogu.

1 nga 2

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›