E Diel, 1 Nëntor 2026

Seance per Haradinaj Haga te pershpejtoje gjyqin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, kërkuan nga Tribunali i Hagës rigjykim të drejtë të shpejtë dhe të ndershëm të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt. Me 70 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët miratuan dy rekomandimet e paraqitura nga iniciuesi i debatit parlamentar, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi.

Deputetët në debatin e tyre thanë se besojnë në pastërtitë e luftës çlirimtare të Kosovës dhe ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj. Deputeti i AAK-së Ahmet Isufi tha se mungesa e Haradinajt në këto momente të rëndësishme për Kosovën për tregohet si hendikep i madh për vendin dhe skenën politike. Edhe qeveria e Kosovës ka mbështetur debatin për Haradinajn.

Kryeministri Hashim Thaçi duke iu drejtuar deputetëve tha se ky nuk është thjesht një debat për një individ apo për një kryetar partie, por për një luftë të drejtë çlirimtare, e cila u zhvillua në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Sipas tij, UÇK-ja dhe populli i Kosovës kanë zhvilluar luftë të drejtë dhe për këtë arsye Thaçi tha se pret që Haradinaj shpejt të shpallet i pafajshëm.

Deputeti i PDK-së, Fatmir Limaj i cili është përballur me Gjykatën e Hagës kritikoi institucionet për mungesë të mbështetjes institucionale për Haradinajn. Limaj kërkoi gjithashtu krijimin e një fondi financiar në mbështetje të Haradinajt  Kjo është hera e dytë që kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj përballet me Gjykatën e Hagës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›