E Diel, 1 Nëntor 2026

Seferi para ndeshjes me Bjellorusinë: Do të luajmë futboll sulmues

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Taulant Seferi deklaroi se kuqezinjtë synojnë vendin e parë në grupin e Ligës së Kombeve, ndërsa theksoi se skuadra po përgatitet për të luajtur një futboll më ofensiv në sfidat e ardhshme.

Në konferencën për shtyp të zhvilluar sot, Seferi tha se gjatë ditëve të fundit puna e skuadrës është përqendruar më shumë në aspektin sulmues, sipas kërkesave të trajnerit Rolando Maran.

“Objektivi ynë në Ligën e Kombeve është që të dalim në vendin e parë. Këto ditë kemi punuar me anën ofensive, sepse më herët kemi punuar më tepër në anën mbrojtëse. Shpresoj që këto që po punojmë me trajnerin Maran të na dalin edhe në lojë. Trajneri na kërkon të jemi ofensivë”, u shpreh Seferi.

Lidhur me aktivizimin e tij në ndeshjen e radhës, futbollisti theksoi se vendimi i takon trajnerit.

“Çdo vendim është i trajnerit. Ai më ka parë lojën time dhe vendos trajneri nëse do të jem në fushën e lojës apo në stol. Nëse trajneri vendos që të luaj, do të luaj, nëse vendos që të jem në pankinë, do të jem në pankinë”, deklaroi ai.

Seferi vlerësoi grupin e lojtarëve dhe theksoi se rezultatet do të vijnë përmes punës së të gjithë skuadrës.

“Është grupi ai që do të sjellë sukseset apo fitoret. Ne kemi objektiv vendin e parë dhe duhet të jemi të fokusuar në çdo ndeshje, sepse në fushë jemi 11 me 11. Nuk duhet të mbivlerësojmë, por duhet të vlerësojmë çdo kundërshtar që është në fushë. Kemi shumë besim se do të dalim me sukses”, tha Seferi.

Shqipëria do të përballet me Bjellorusinë më 26 shtator, në orën 20:45, në kuadër të Ligës së Kombeve. Tre ditë më vonë, më 29 shtator, kuqezinjtë do të luajnë ndaj San Marinos.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›