E Diel, 1 Nëntor 2026

Liga e Kombeve, Daku: Objektivi është vendi i parë dhe kualifikimi në Euro 2028

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku deklaroi se objektivi i kuqezinjve në ndeshjet e Ligës së Kombeve është përfundimi në vendin e parë në grup dhe sigurimi i mundësisë për të vijuar rrugëtimin drejt Euro 2028.

Në një konferencë për shtyp në prag të sfidave të Shqipërisë në Ligën e Kombeve sulmuesi theksoi rëndësinë e rezultateve të skuadrës përpara objektivit madhor të kualifikimit në Kampionatin Evropian.

“Është gjithmonë nder të jesh pjesë e Kombëtares. Ne si sulmues ftohemi për të shënuar gola, por golat nuk janë primarë. E rëndësishme është që të fitojmë dhe t’i kalojmë sa më mirë këto katër ndeshje”, u shpreh Daku.

Ai vlerësoi konkurrencën brenda skuadrës, duke theksuar se lojtarët e rinj që i janë bashkuar Kombëtares vijnë pas një fillimi të mirë të sezonit.

“Është mirë kur ka konkurrencë brenda skuadrës. Edhe çunat që kanë ardhur vijnë nga një fillim sezoni shumë i mirë. Kanë shënuar gola dhe kjo është një gjë e mirë. Do të pres momentin dhe, nëse më jepet mundësia, do të jap më të mirën”, deklaroi sulmuesi.

Daku nënvizoi se objektivi i Shqipërisë është i qartë.

“Vetë fakti që ne jemi për vendin e parë flet për Euro 2028. Siç e dimë, kjo rrugë përmes Nations League është për kualifikimin në Euro 2028. Për ne objektivi kryesor është që të përfundojmë të parët dhe pastaj të vazhdojmë ato dy ndeshje që janë si finale”, tha ai.

Sulmuesi i Kombëtares u shpreh gjithashtu se është plotësisht i gatshëm për të luajtur, pavarësisht minutave të pakta me klubin e tij të ri në Rusi.

“Unë jam 100% i gatshëm për Kombëtaren dhe kam qenë gjithmonë. Në këto momente me ekipin e ri nuk kam luajtur shumë, por kjo nuk ka të bëjë me ndonjë dëmtim. Thjesht ka qenë zgjedhja e trajnerit. Shpresoj që të kemi fat”, tha Daku.

Duke folur për trajnerin e ri të Kombëtares, Rolando Maran, Daku vlerësoi mënyrën se si ai ka përfshirë të gjithë lojtarët në skuadër.

“Përshtypje na ka lënë fakti që të gjithë lojtarët, të gjithë çunat që jemi të grumbulluar, po e ndjejmë rëndësinë që ka secili lojtar në skuadër. Më herët nuk e kemi ndjerë këtë në të njëjtën mënyrë. Tani po e ndjejmë që secili lojtar e ka rëndësinë e vet në ekipin kombëtar dhe kjo më ka bërë mua të ndihem më mirë se më herët”, përfundoi sulmuesi kuqezi.

Shqipëria do të përballet me Bjellorusinë më 26 shtator, në orën 20:45, në kuadër të Ligës së Kombeve.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›