Sejdiu -Thaçi,urojnë shqiptarët për 28 Nëntorin
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë përgëzuar qytetarët shqiptarë për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit Kombëtar.
Në telegramin e urimit të presidentit Sejdiu thuhet: Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta për Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin. Kjo datë e bujshme e historisë moderne shqiptare përputhet edhe me kthimin e heroit tonë nacional, Gjergj Kastrtiotit-Skënderbeut në Krujë, më 1443, ndaj kudo që ka shqiptarë nderohet e përjetohet si njëra ndër datat më të veçanta të gjithë historisë sonë.
Festa e Flamurit, veçmas këtu në Kosovë, sivjet kremtohet me më shumë krenari e gëzim. Këtë datë të rëndësishme të historisë sonë po e shënojmë në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, të njohur tashmë nga 52 vende anekënd globit. Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me miqtë tanë të shumtë, e në rend të parë me ShBA-të dhe me BE-në, do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim të plotë që ta forcojnë lirinë, demokracinë dhe ekonominë e vendit tonë, në mënyrë që shteti ynë i ri, i krijuar mbi sakrificat e shumë brezave të dëshmojë se është anëtar i denjë i kombeve të lira. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë do të punojnë së bashku me vendet e rajonit në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore, si dhe për shpejtimin e ecjes së fuqishme në procesin e integrimit në BE dhe në NATO. 28 Nëntori i flamurit tonë kombëtar do të jetë përherë një pikë e shndritshme frymëzimi dhe orientimi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Gëzuar dhe me fat Dita e Flamurit! Po ashtu edhe kryeministri Thaçi ka dërguar mësazh në të cilin thuhet se: "Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori, është datë e rëndësishme në historinë moderne të kombit tonë. Pas përpjekjeve shekullore për liri dhe pavarësi, u krijua shteti shqiptar, duke zgjidhur pjesërisht një aspiratë të kombit tonë".
Themelimi i shtetit shqiptar, thekson Thaçi, edhe pse kaloi nëpër sfida të rënda, ishte e arritur madhore në fillim të shekullit njëzet. "Sot, Republika e Shqipërisë është shtet demokratik, drejt rrugës së sigurt për t'u integruar në NATO dhe në Bashkim Evropian. Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori 2008, Kosovën e gjen shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. 28 Nëntori është i rëndësishëm për historinë e Kosovës. Është datë e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindja e Komandantit legjendar, Adem Jashari", thuhet më tutje në telegramin e urimit të kryeministrit Thaçi. "Në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, gjithë bashkëkombësit tanë krenohen me të arriturat e përbashkëta në rrugë drejt integrimit në institucionet euroatlantike", përfundon telegrami.