Sejdiu: Beteja e Koshares, krenari e Kosovës

Koshare, 9 prill, NOA
- Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në
ceremoninë e kushtuar 11 vjetorit të
Betejës së Koshares, e ka vlerësuar këtë ngjarje si krenarinë historike të
Kosovës. Ai u shpreh se ushtria e djemve dhe vajzave me 9 prill 1999 tregoi
trimëri të pashoqe. Sejdiu shtoi se ndihej krenar që kujtimi për një nga
betejat më të lavdishme përkon edhe me ditën e Kushtetutës.
Në ceremoninë e titulluar Ditët e Shqipes, Sejdiu pohoi se historia nuk është vetëm e kaluara, por duhet menduar dhe për të ardhmen. Ai vlerësoi dhe rolin e figurave historike gjatë luftës.
Nga këtu i përkulemi mundit dhe sakrificës së ish presidentit historik Ibrahim Rugova dhe komandantit legjendar Adem Jashari, tha Sejdiu.
Presidenti i Kosovës tha se çdo betejë e madhe që shënohet në historinë e popujve, ka dhe prijësit dhe komandantët e saj, duke kujtuar në këtë mënyrë emrat e drejtuesve të UÇK-së në këtë betejë Sali Çekaj dhe Agim Ramadani.
m.xh/NOA