Sejdiu dhe Ahmeti ngushëllojnë Topin dhe Berishën
Mesazhe ngushëllimi për ngjarjen e Durrësit kanë mbërritur dje në zyrën e Presidentit të Republikës dhe të Kryeministrit Sali Berisha. Homologu i tij, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i shprehu keqardhjen për humbjen e katër punonjësve të Policisë së Shtetit Presidentit Bamir Topi, duke vlerësuar se është një humbje e madhe. Sakaq, edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ngushëlloi familjet dhe Kryeministrin Berisha për humbjen e katër anëtarëve të Policisë së Shtetit. Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, me anë të një telegrami, ngushëlloi familjet Xhani, Dizdari, Duçkollari, Feska, si dhe Kryeministrin shqiptar Berisha, për rënien në krye të detyrës së katër anëtarëve të Policisë së Shtetit. "Me dhimbje të thellë e pikëllim në zemër e morëm lajmin e trishtueshëm të vrasjes së katër oficerëve të Policisë së Shtetit shqiptar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe funksionimi i shtetit ligjor shpeshherë ka pasur çmim të lartë dhe ka marrë haraçin në gjak. Bijtë tuaj, oficerë të policisë, janë humbja e madhe që kanë veshur në zi gjithë popullin shqiptar", thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Më tej, Ahmeti shkruan se "në këto çaste të rënda për Ju familjarë të nderuar dhe Ju, zoti Kryeministër, shqiptarët e Maqedonisë janë me Ju, anëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim e ndjejnë dhe ndajnë dhimbjen me Ju".
Mesazhi vijon duke vënë në pah ngushëllimet më të sinqerta dhe më të përzemërta, duke i kërkuar Kryeministrit që dhimbja të shndërrohet në forcë. "Dhe të jeni krenarë se Fatosi, Altini, Saimiri dhe Kastrioti, edhe në momentin e rënies, ishin në anën e së mirës dhe në luftë kundër së keqes, ishin në shërbim të nderit dhe autoritetit të familjeve të tyre, të popullit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duke ju përcjellë solidaritetin e të gjithë anëtarëve të BDI-së ju lutem vëllazërisht të bëheni të fortë se të tillë i patët djemtë tuaj dhe vëllezërit tanë njëkohësisht", përfundon mesazhi. Dy ditë më parë reagoi edhe ambasadori italian Saba D‘Elia, duke shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe duke përgëzuar njëkohësisht forcat e policisë për vendosmërinë në luftën kundër krimit.