E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu mesazh Topit: Shqipëria në NATO, faktor stabiliteti

“Ky akt madhor dhe i shumëpritur e shndërron përfundimisht rajonin tonë në një faktor të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit"-- shkruan në mesazhin e tij dërguar Presidentit Topi, Fatmir Sejdiu. 

TIRANE-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu uroi sot presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në mesazhin e tij drejtuar Presidentit Topi, zoti Sejdiu shkruan se “kam kënaqësinë e jashtëzakonshme që në emrin tim dhe në emër të popullit të Republikës së Kosovës, t'ju uroj juve dhe nëpërmjet jush gjithë popullit shqiptar anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO”.

“Ky akt madhor dhe i shumëpritur-- vazhdon më tej presidenti Sejdiu në letrën e tij- e shndërron përfundimisht rajonin tonë në një faktor të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit të përgjithshëm të kësaj pjese të Evropës Juglindore, popujt e së cilës tashmë janë përcaktuar fuqishëm për integrim në familjen e madhe të kombeve të lira e demokratike euroatlantike.

Presidenti kosovar e cilëson anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO si një arritje e shkëlqyeshme e institucioneve dhe qyetetarëve të Shqipërisë. “Pa dyshim, edhe Republika e Kosovës do të përfitojë nga përvoja juaj dhe ne presim që duke punuar së bashku, sikundër deri më tani, ta arrijmë sa më shpejt që të jetë e mundur ditën e anëtarësimit të të gjithë rajonit në NATO dhe në strukturat e tjera euroatlantike” thekson Sejdiu në mesazhin e tij.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›