Sejdiu nuk ka mbështetje të plotë brenda LDK, deputeti Avdullah Hoti paralajmëroi votën kundër

Kandidati i përbashkët i Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike për president, Bekim Sejdiu, nuk e ka mbështetjen e të gjithë deputetëve të partisë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku. Ish-kryeministri Avdullah Hoti, aktualisht deputet i LDK-së tha se është kundër kandidaturës së Sejdiut, pasi sipas tij 52-vjeçari nuk është figurë unifikuese që ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe që përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve.
Ndërsa Vetëvendosje dhe LDK mbledhin Kryesitë e partive, një deputet i kësaj të fundit tha se kryetari Abdixhiku nuk është konsultuar me ta për kandidaturën e Bekim Sejdiut. Ndërsa ende nuk është konstituuar legjislatura e 11-të e Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit, dy subjektet e tjera parlamentare Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca të mbështetur nga përfaqësues të komunave të ndryshme vazhdojnë protestat para godinës së qeverisë me thirrjet për mbajtjen e seancës konstituive pas arritjes së marrëveshjes për presidentin.
Deputetja e AAK-së Time Kadriaj bëri thirrje që Kurti të kthehet në Kuvend dhe ta konstituojë atë ose të shpallë zgjedhjet e reja, për të cilat u shpreh se partia e saj i mbështet. Ndonëse Bekim Sejdiu pranoi kandidaturën duke u shprehur i gatshëm t’i shërbejë së Kosovës, seanca për zgjedhjen e tij ende nuk dihet kur do të mbahet.
Nëse profesori i Juridikut nuk arrin të zgjidhet president në tre raundet e votimit Kushtetuta e Kosovës parashikon shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Për zgjedhjen e presidentit, kërkohet prania e të paktën 80 nga 120 deputetët e Kuvendit.
/rtsh.al/