Sejdiu, vizitë zyrtare në Tiranë

Sipas këtyre burimeve, Presidenti Sejdiu dhe delegacioni që e shoqëron do të zhvillojë bisedime zyrtare me Presidentin Topi në Pallatin e Brigadave.
Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu do të shkëmbejnë mendime edhe për çështje të integrimit euroatlantik të dy vendeve, për bashkëpunimin rajonal, si dhe për perspektivën e të ardhmes së shtetit të ri të Kosovës në nismat rajonale.
Të dy Presidentët do ndalen edhe në ecurinë e procesit të njohjes së Kosovës për të shtuar dhe koordinuar më mirë përpjekjet dypalëshe në këtë drejtim.
Në ditën e parë të vizitës në Shqipëri, Presidenti Sejdiu do t'u drejtohet me një mesazh deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë
dhe do të ketë takime të veçanta me Kryetaren e Parlamentit, znj.Jozefina Topalli dhe Kryeministrin e vendit, Sali Berisha.
Në ditën e dytë të kësaj vizite, Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu do vizitojnë segmentin Rrëshen-Kalimash,pjesë e rrugës Durrës-Kukës, që do lidhë Shqipërinë me Kosovën.
Po në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri, Presidenti Sejdiu do të vizitojë qytetin e Shkodrës.