Sekretari i Parë i Librazhdit: Vilson Blloshmi do pushkatohet si sabotator

Vilson Blloshmi me kunatin, dale perpara se te arrestohej
Përveç dosjes operative dhe asaj gjyqësore të njohura tashmë me emërtimin Blloshmi-Leka, në rastin e dy poetëve të pushkatuar ka pasur edhe një të tretë në Sekretariatin e KQ të Partisë. Në morinë e dokumenteve të kësaj të fundit, të zbuluara nga Panorama, ka relacione e të dhëna sekrete të mbërritura në kupolën e Partisë nga organet vendore, nga krerët e Ministrisë së Brendshme, madje edhe nga kryetari i Gjykatës së Lartë. Shënimet e bëra në to nga sekretarët e KQ Hysni Kapo, Prokop Murra e Ramiz Alia dhe porositë për tu njohur me përmbajtjen e tyre edhe Mehmet Shehu e Adil Çarçani, tregojnë vlerësimin maksimal të lidershipit komunist për çështjen Blloshmi-Leka. Ndër to paraqet interes sidomos një relacioni i Feçor Shehut, me cilësinë e zëvendësministrit të Brendshëm, që mban datën 16.12.1976. Po çfarë raportonte numri dy i Sigurimit ende pa u mbyllur procesi penal ndaj dy poetëve
Më në fund kemi në duar një grup të rrezikshëm. Vilsoni, kreu i tij, është më i zgjuar nga të tjerët, prandaj mohon çdo gjë, se e di që e pret pushkatimi. Në pjesën përmbyllëse të fjalimit të tij, në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit të Partisë të rrethit të Librazhdit, kreu i tij paracakton kësisoj verdiktin përfundimtar mbi fatin e të prangosurve të përfolur për veprimtari armiqësore. Të parët janë arrestuar Vilson Blloshmi e Genc Leka. Pak më vonë me çështjen e tyre janë shtuar edhe disa të tjerë për të konturuar idenë e një grupi të organizuar. Ende pa finalizuar punën e tyre, organet e Sigurimit dhe ato të drejtësisë, Komiteti vendor i Partisë artikulon pretencën dhe vendimin e gjykatës! Nuk është vetëm sekretari i Parë, Sotir Koçollari, i cili pak më vonë u bë presidenti i fundit i organizatës së Bashkimeve Profesionale, i cili paracakton fatin e poetit dhe të tjerëve, por gati gjithë anëtarët e forumit shprehen në një mendje. Mirëpo, për ta kanalizuar këtë çështje si të lidhur me veprimtari sabotuese, qëllimisht futen akuza të tilla, në mënyrë që në valën e madhe të dënimit të armiqve edhe në sektorin e ekonomisë të përligjeshin dështimet e regjimit tek ekzistenca e njerëzve të tillë dhe pasojave që ata gjoja kishin shkaktuar. Me qëndrime të tilla, propaganda komuniste krijonte bindje se armiku ishte kudo dhe se dënimi i këtij grupi do të sillte drejtësi apo sukses. Mbi këtë fabul artikuloheshin akuzat për dy poetë, për dy poetë që nuk e shihnin krijimin si plagjiaturë apo një send për tu lavdëruar apo krenuar, si pjesa më e madhe e atyre që lëvronin për jetesë e asgjë tjetër në regjimin komunist. Qoftë edhe përmbajtja e këtij dokumenti vlen për të kuptuar se në atë regjim nuk bëhej fjalë për drejtësi, pasi vetë grupi kriminal që qeveriste me metoda terroriste, mund të merrte peng e të vriste të gjithë ata që nuk i pëlqente e kaluara e tyre, apo se nuk mund të duronte që krijimtaria mund të burojë e të shkëlqejë nga shtresat e klasave që urreheshin…
DOKUMENTI
Komiteti i Partisë i rrethit Librazhd
Mbledhja nr. 23, datë 28 prill 1977, e Sekretariatit të Komitetit të Partisë të rrethit Librazhd
Sekretariati i Komitetit të Partisë Librazhd, në mbledhjen e tij, datë 28.04.1977, mori në shqyrtim këto çështje:
-Informim me gojë nga shokët e Gjykatës së rrethit për procesin e grupit armiqësor të Bërzeshtës…
-Marrin pjesë në pikën e parë shokët: Hysen Faqolli – kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit, Qani Lavdari – prokuror i rrethit, Sybi Sulçe – gjyqtar, Nevrije Fistaj – kryetare e Gjykatës së rrethit.
Mbledhjen e drejton sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, shoku Sotir Koçollari. Informim me gojë nga shokët e Gjykatës së Rrethit për procesin e grupit armiqësor të Bërzeshtës.
Shoku Sotir Koçollari: Na informoni mbi çështjen penale të sabotatorëve dhe përvetësuesve të Bërzeshtës.
Sybi Sulçe: Në këtë çështje bëjnë pjesë 8 persona, të cilët i janë dërguar gjykatës për gjykim.
I pandehuri Genci Leka, i biri i Bardho Lekës, në moshën 36 vjeç, me arsim të mesëm pedagogjik, i akuzuar për krimin e sabotimit në bashkëpunim me atë të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, të parashikuar nga nenet 72 e 12 dhe 73/1 të Kodit Penal. Veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor e ka filluar qysh në vitin 1968, ndërsa në formën e sabotimit në ekonomi për dobësimin e pushtetit popullor e ka filluar në qershor të vitit 1973 dhe ka vazhduar deri në momentin që u arrestua, më 31.8.1976. Agjitacionin e propagandën e ka filluar në formën e bisedave të ndryshme që ka bërë kundër pushtetit popullor, në krijimet letrare, poezitë me përmbajtje armiqësore, ka mbajtur dhe mjaft libra të ndaluar në shtëpi. Bisedat armiqësore i ka bërë me Vilson Blloshmin e me një person me banim në Lushnjë, që quhet Bilbil Cani e një person tjetër nga Cërriku, Nazmi Seitin me banim në Cërrik, si dhe me dëshmitarët Dilo Omeri dhe Emine Duka. Në bisedat armiqësore që ka zhvilluar është shprehur për trajtimin e keq që i bëhej atij e pjesëtarëve të tjerë të familjes nga Partia dhe pushteti popullor. U është kundërvënë masave për revolucionarizimin e shkollave, si dhe ka folur kundër ideologjisë së partisë. I pandehuri Vilson Blloshmi, person me përbërje të keqe politike, kulak. Të pandehurin Bedri Blloshmi, që akuzohet për krimin e sabotimit, e ka vëlla. Siç del nga material i dosjes, është person tepër i rrezikshëm. Ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, krim i parashikuar nga neni 73/1 i Kodit Penal. Veprimtarinë armiqësore e ka filluar që në bangat e shkollës së mesme pedagogjike në vitin 1965, kur ishte nxënës dhe e vazhdoi derisa e arrestuan në vitin 1976. Veprimtarinë armiqësore e ka zhvilluar në këto forma: Ka bërë biseda me përmbajtje armiqësore me dëshmitarët Sami Hyka, Haki Bardhoshi, Fetah Blloshmi, Emine Diko dhe Afërdita Lepenica, si dhe me të pandehurit Genc Leka e Demir Blloshmi.
Shoku Alush Çekrezi: Si do të quhej grupi?
Sybi Sulçe: Nga të dhënat del se nuk janë të organizuar, sepse disa prej tyre kanë bërë edhe propagandë.
Shoku Sotir Koçollari: Forma e tyre e organizuar del plotësisht, pasi secili prej tyre në mënyrë të vetëdijshme ka dashur të rrëzojnë pushtetin popullor dhe të sabotojë ekonominë e kooperativës bujqësore.
Shoku Sybi Sulçe: Atëherë, 8 të pandehurit do të futen në një nen?
Merdar Hasa: Pse thua që Vilson Blloshmi nuk hyn në këtë grup? Ai hyn dhe kjo vërtetohet nga thëniet e të tjerëve që ky ka përvetësuar.
Shoku Sotir Koçollari: Kush konsiderohet më kryesori?
Shoku Sybi Sulçe: Genc Leka. Nga të dhënat e dosjes del se Vilson Blloshmi është për agjitacion e propagandë, me sa ka dosja. Prova nuk kemi për përvetësim, nuk ia vërtetojmë dot.
Shoku Sotir Koçollari: Unë kam mendimin se këta janë grup i organizuar, madje edhe në bazë të një platforme në bindjen e tyre. Zbulimi i këtij grupi është meritë e punës së organeve të Punëve të Brendshme, rritja e vigjilencës së tyre etj. Ky grup ka vepruar në mënyrë të tillë deri tani për mungesë të vigjilencës së kuadrove në kooperativë, në organizatën bazë të Partisë. Këta e kanë bërë këtë për prishjen e pushtetit popullor. Imagjinoni, do të hidhej në erë Ura e Bushtricës, ishte një dëshirë e të pandehurit Vilson Blloshmi dhe ky e dëshiron këtë, nuk e realizoi vetë, por kurdisi këtë plan imagjinar. Krerët e këtij grupi them se janë Genci Leka dhe Vilson Blloshmi, pjellë e armikut të klasës, t