Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it: “Asnjë vend nuk mund të trajtojë çështjet komplekse i vetëm”

Në kuadër të Konferencës së 50-të Rajonale Evropiane të INTERPOL-it, që po mbahet në Ohër, Sekretari i Përgjithshëm, Jürgen Stock duke folur për kërcënimet komplekse për sigurinë publike në Evropë dhe më gjerë, nga krimi i organizuar te krimi kibernetik, tha se “Asnjë vend, asnjë rajon i vetëm, nuk mund t’i trajtojë këto çështje komplekse dhe në rritje”. “Takimet si ky këtu në Ohër janë thelbësore për të përmirësuar përpjekjet tona dhe më e rëndësishmja veprimet tona” tha zoti Stock, citon Anadolu Ajansi.
Ai tha se vendet evropiane janë më aktivet sa i përket ndarjes së informatave, por edhe kërkimeve në bazën e përbashkët. “Vendet anëtare evropiane janë liderë globalë në përdorimin dhe kontributin e tyre në bazat e të dhënave të INTERPOL-it dhe mundësive të tjera. Evropa kontribuon me më shumë regjistrime, ndërmerr më shumë kërkime dhe pranon ndjeshëm më shumë goditje se çdo rajon tjetër brenda organizatës sonë INTERPOL. Vitin e kaluar, vendet anëtare evropiane kërkuan në të dhënat tona më shumë se 3.5 miliardë herë. Shifrat flasin vetë. Aftësitë e INTERPOL-it janë komponenti kryesor i agjencive të zbatimit të ligjit në Evropë për të mbajtur vendet e tyre të sigurta. Ky rol po rritet dhe ne shohim qartë rezultatet operacionale”, tha Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Jürgen Stock.
Lidhur me operacionin e zhvilluar me pjesëmarrjen e 17 vendeve për të luftuar grupin mafioz “Ndrangheta”, ai tha se tashmë janë regjistruar mbi 40 arrestime të nivelit të lartë në mbarë botën, duke shtuar: “Pothuajse gjysma e këtyre arrestimeve kanë ndodhur vitin e kaluar”.
Stock shtoi se këtë javë gjatë konferencës rajonale do të kërkohen mënyra për të ofruar mbështetje edhe më të mirë në të ardhmen për të trajtuar kërcënimet e krimeve si trafikimi i qenieve njerëzore, trafikimi i drogës, krimi kibernetik si dhe krimi mjedisor.
Konferenca që mbahet në Ohër do të zgjasë tre ditë ndërsa pjesa tjetër e konferencës është e mbyllur për media.
( Sipas Anadolu Ajansi )