E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sekretari i Tregtisë thotë se përjashtimi nga tarifat për pajisjet elektronike nuk është i përhershëm

Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick thotë se përjashtimi nga tarifat për një gamë të gjerë të pajisjeve elektronike, duke përfshirë gjysmëpërçuesit dhe telefonat inteligjentë, do të jetë i përkohshëm.

Tarifat që synojnë sektorë specifikë të biznesit do të vendosen në dy muajt e ardhshëm për disa produkte kyçe për sigurinë kombëtare, të cilat nuk do të jenë “të disponueshme për negociata”, tha Lutnick sot (e diel) në “ABC This Week”.

“Këto produkte do të jenë pjesë e tarifave sektoriale të gjysmëpërçuesve, të cilat po vijnë”, tha sekretari i tregtisë, duke iu referuar elektronikës që mbulohet nga përjashtimi.

“Gjysëmpërçuesit dhe farmaceutikët do të kenë një model tarifor për t’i inkurajuar ata të rindërtohen,” tha ai. “Ne kemi nevojë për ilaçet tona, dhe ne kemi nevojë për gjysmëpërçuesit dhe pajisjet tona elektronike për t’u ndërtuar në Amerikë. Ne nuk mund të mbështetemi tek vendet e huaja për gjërat themelore që na duhen.”

I pyetur pse administrata bëri masën për të përjashtuar disa pajisje elektronike nga tarifat reciproke, Lutnick tha se përjashtimi do të jetë i përkohshëm.

“Këto përfshihen në tarifat e gjysmëpërçuesve që po vijnë, dhe farmaceutika. Për këto dy zona do të ketë tarifa në muajin ose dy muajt e ardhshëm. Pra, ky nuk është si një lloj përjashtimi i përhershëm,” shtoi Lutnick.

Lutnick, i cili në fillim të kësaj jave tha se nuk ishte angazhuar drejtpërdrejt me zyrtarët kinezë, tha se beson se Trump dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping “do ta zgjidhin këtë” dhe Trump do të sigurojë një rezultat të mirë për SHBA.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›