Kultivimi i bimëve dekorative, sipërmarrja që ka frenuar emigrimin në zonën e Dajçit

Prej më shumë se një dekade, zona e Dajçit në Bashkinë e Shkodrës është shndërruar në një qendër të rëndësishme të kultivimit të bimëve dekorative në veri të vendit.
Banorë të zonës që kanë emigruar në Itali, kanë sjellë përvojën e tyre në sektorin e bujqësisë dekorative, duke e kthyer në një biznes fitimprurës në vendlindje.
Administratori i njësisë së Dajçit, Broz Pjetrani thekson se mbështetja nga shteti është jetike për të forcuar këtë sipërmarrje, e cila ka dhënë rezultate konkrete në zhvillimin ekonomik të zonës dhe ka ndihmuar në frenimin e emigrimit të banorëve.
“Duke qenë se në Dajç kultivohen pemë dekorative, është një mundësi që shumë prej banorëve të rikthehen dhe të investojnë. Është e vetmja shpresë që vendi mos të shpopullohet”, tha Pjetrani.
Pavarësisht suksesit, fermerët po përballen me vështirësi. Tregu i shitjes është ngushtuar gjatë dy viteve të fundit, duke sjellë pasiguri për të ardhmen e kësaj veprimtarie.
“Merremi me lule dekorative, ka vite, por një vit më parë edhe këtë vit kemi pasur një treg në shitje”, shprehet Fejzi Katana.
Tregu kryesor i bimëve dekorative që kultivohen ne zonën e Dajçit mbetet Kosova dhe vendet e rajonit, ku çdo vit eksportohen mbi 100 mijë fidanë.
Ky aktivitet ka luajtur një rol të rëndësishëm në ringjalljen ekonomike të zonës, e cila për vite me radhë është përballur me përmbytje të shpeshta që kanë dëmtuar bujqësinë tradicionale.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/