E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretari i ambasadës: Departamenti i Shtetit na kërkoi raport në orën 3 të mëngjesit për votimin në Kuvend (VIDEO)

arvizuDepartamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar sqarime të hollësishme nga selia diplomatike e Tiranë, që drejtohet nga Alexandër Arvizu, përpara se të mbajë një qëndrim për shkarkimin e anëtarit të KQZ, mbrëmë në parlament, një nismë kjo e demokratëve në pushtet.

Siç raporton Vizion Plus, në adresë të ambasadës në Shqipëri, ka mbërritur një e-mail në orën 3 të mëngjesit me orën tonë, për të kërkuar të dhëna shtesë, përpos atyre që ishin publikuar nga mediat ndërkombëtare si titull kryesor.

Raporti mban firmën e ambasadorit amerikan Alexandër Arvizu, i cili u investua gjatë gjithë ditës së djeshme përmes deklarimeve dhe takimeve për të ndalur zëvendësimin e anëtarit të propozuar nga LSI në KQZ.

Sekretari politik i ambasadës, Jay Porter duke folur gjatë një takimi me studentë, tha se interesi i Departamentit të Shtetit, që drejtohet nga John Kerry, për çështje me ndjeshmëri të lartë, është i madh sa herë ka ngjarje me rëndësi.

Duke mos komentuar më tej përmbajtjen e raportit që u nis drejt Uashingtonit përmes postës elektronike në orën 3 të mëngjesit dhe që lidhet me shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, i ngarkuari për çështjet politike në ambasadë, Porter theksoi se në interesin e SHBA, por edhe vetë shqiptarëve, mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›