Sekretariati i Etikës përjashton 6 deputetë të PD, Manja: Seanca ishte jo normale, me veprime të dhunshme

Pas mbledhjes së Sekretariatit të Etikës, ku u shqyrtua kërkesa e Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetëve të opozitës pas incidenteve të seancës plenare të 18 dhjetorit, u vendos që gjashtë deputetë të Partisë Demokratike të përjashtohen për 30 ditë pune.
Kryetari i Sekretariatit për Procedurat, Votimin dhe Etikën, Ulsi Manja, dha një deklaratë për mediat ku shpjegoi arsyet dhe procedurat e ndjekura.
Ai theksoi se mbledhjet zhvillohen me dyer të mbyllura, por gjithmonë duke respektuar rregullat e Kuvendit dhe të drejtën e deputetëve për t’u dëgjuar.
“Në respekt të opinionit publik por edhe të mediave, duke qenë se Sekretariati për Etikën sipas Rregullores në mënyrë taksative i zhvillon me dyer të mbyllura mbledhjet, sepse është organ pune i Kuvendit, pavarësisht se nga deputetët e opozitës që unë kam kërkuar të jenë të pranishëm, sepse janë deputetë ndaj të cilëve kërkohet masë, si rregull duhet të dëgjohen. Si rregull do duhet të dëgjohen përpara sesa Sekretariati të japë masë. Unë si drejtues i Sekretariatit për Procedurat, Votimin dhe Etikën dhe procedurat i bëj unë dhe për deputetët,” tha Manja.
Ai kujtoi se kjo ishte mbledhja e dytë e Sekretariatit, ndërsa në të parën u vendos të rishikoheshin pamjet e seancës plenare të 18 dhjetorit.
“Kjo ishte mbledhja e dytë e sekretariatit dhe në mbledhjen e parë vendosëm që meqenëse ishte një numër i konsiderueshëm i kolegëve të opozitës ndaj të cilëve kërkohej përjashtimi, ku ishin 29 kolegë të opozitës dhe masat ishin kërkuar të përshkallëzuara për secilin. Në mbledhjen e parë vendosëm që sot në orën 10:00 të shikonim edhe një herë pamjet e seancës plenare të datës 18 dhjetor. Ka qenë një seancë jo normale, me veprime të dhunshme dhe sot u mblodhëm për të dhënë masat përkatëse,” u shpreh ai.
Manja bëri të ditur se Sekretariati vendosi për përjashtimin e gjashtë deputetëve të opozitës, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Klevis Balliu, Flamur Noka dhe Elda Hoti.
“Sekretariati për Votimin dhe Etikës u mblidh ditën e sotme, 23 dhjetor, në orën 10:00, për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetëve të opozitës, pas incidenteve të rënda të ndodhura gjatë dhe në nisje të seancës plenare të 18 dhjetorit 2025. Në përfundim u vendos që vetëm për 6 deputet nga ata që u propozuan për masë të përjashtohen për 30 ditë pune, kur të fillojë sesioni i ri parlamentar. Këta deputet kanë kryer veprime të dhunshme,” u shpreh ai.
Ndërkohë, për pjesën tjetër të deputetëve të opozitës ndaj të cilëve ishte propozuar marrja e masave disiplinore, Sekretariati vendosi të kufizohej vetëm me tërheqje vëmendjeje.
“Gjithashtu, për të gjithë deputetët e tjerë që u propozua për t’u marrë masa disiplinare, Sekretariati vendosi që këtë radhë të mjaftohen vetëm me tërheqje vëmendjes për këta deputetë,” përfundoi Manja.
/rtsh.al/