E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sekretet e diktaturës/ Çfarë tregojnë dokumentet e ish-Sigurimit? Sula: Arkivi i Sigurimit të Shtetit rast studimor

Në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë u zhvillua një konferencë ndërkombëtare shkencore me temë “Aspekte të përndjekjes politike të ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar 1944–1991”, ku morën pjesë studiues nga Shqipëria dhe vende të tjera si Polonia, Italia dhe Kosova.

Drejtuesja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Gentiana Sula, në një intervistë në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus, theksoi se aktiviteti kishte karakter shkencor dhe synonte prodhimin e dijes mbi arkivat e periudhës komuniste, jo thjesht rrëfimin historik.

Në aktivitet morën pjesë studiues nga Polonia, Italia, Kosova dhe Shqipëria.

Zonja Sula tha se  gjatë punimeve u analizuan aspektet kushtetuese dhe institucionale të sistemit gjatë periudhës komuniste, përfshirë ndryshimet kushtetuese të viteve 1948 dhe 1976, si dhe mënyra se si ato krijuan bazën ligjore për funksionimin e sistemit të përndjekjes.

Sula: Ishte konferencë shkencore. Janë bërë përkujtimore, data të caktuara. Kjo ishte konferencë shkencore dhe fjala shkencore thotë shumë për standardin e punimeve. Bëhet fjalë për të prodhuar dije, jo thjesht për të rrëfyer. Ishin studiues nga Polonia, Italia, Kosova dhe Shqipëria. Për herë të parë u hap një faqe e re e studimeve në raport me përndjekjen, komunizmim. Kishte një qasje më makro, pa e humbur dhe qasjen personale. Patëm punime për sa i përket aspektit politik, u panë kushtetutat në vijimësi, që në vitin 1948, 1976, u bë krahasimi atëherë, tani, demokraci diktaturë. U pa se cilat ishin elementët që i hapën rrugë nga ana kushtetuese gjithë asaj që ndodhi më pas. U pa aspketi i platformave të sigurimit të shetit. Kanë qenë platforma që janë mbajtur sekret dhe njerëzit as nuk e dinin se cila ishte ajo gjëja që i bënte në krahun tjetër. U panë 6 platforma. U hapën të gjithë urdhrat e ministrave, u panë rolet se si ndaheshin. Ishte një gjë shumë intensive, por për shumë gjëra u krijua harta e koncepteve. Arkivi i Sigurimit të Shtetit është i veçantë dhe në vetvete është një rast studimor.

Duke folur për mënyrën e operimit të Sigurimit të Shtetit, Sula deklaroi se një nga problemet kryesore ishte mungesa e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit institucional.

Sula shtoi se vendimmarrja në atë periudhë ishte shpesh subjektive dhe e centralizuar, duke theksuar se shumë vendime për jetën e qytetarëve merreshin nga oficerë të thjeshtë operativë, pa garanci gjyqësore.

Sula: Nuk është kuptuar ku është gabuar. Gjëja e parë, siç e thashë që në kushtetutë ishte roli i udhëheqjes. Që këtu duhet parë me shumë kujdes ndarja e pushteteve. Kemi rastin e Gjykatës së Sigurimit të Shtetit e cila ishte nën ministrin. Nëse funksionet e institucioneve të caktuara janë të ndërtuara keq, kanë një agjendë partiake personale, pasojat janë shumë të forta, dekada ndërbreznore. Në konferencë u vu re edhe një gjë tjetër, subjektivizmi i vendimeve. Vendimet për jetën e viktimës ose shënjestrës politike ishin te polici i thjeshtë, operativi i thjeshtë. Nuk ka pasur fare garanci gjyqësore. Sot një përgjim shkon në gjyqësor, pasi mbaron hetimi personi i përgjuar ka të drejtë të dijë çfarë është thënë për të. Atëherë as nuk e dije që po përgjoheshe. Sot vërtet ndodhin përgjime, por kanë afate të caktuara dhe ti ke të drejtë të kërkosh fshirejn e të dhënave. Atëherë ndodh deri në vdekje dhe pas vdekjes kishe…ka shumë gjëra. Konferencën e mbyllëm me një deklaratë të rëndësishme ku përmbodhëm gjetjet kryesore dhe angazhimet tona. Angazhimi i parë është që do të vahzdojmë ta bëjmë të përvitshme, e dyta është që do botohen me standardin e shkencës.

Në përfundim, Sula bëri të ditur se konferenca u mbyll me një deklaratë përmbledhëse dhe se synohet që ky aktivitet të kthehet në një ngjarje të përvitshme, si dhe që punimet të publikohen sipas standardeve shkencore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›