Sekreti i personazhit të Shakespeare

Profesori Salkeld, nga Chichester University, ia kushtoi tërë jetën hulumtimeve letrare. Pohimin për Dark Lady e bazon në ditarët e Philip Henslowe, një bashkëkohës dhe rival ky i Shakespeare, i cili ishte udhëheqës i Rose Theatre, në Londër.
Në ditarët e Henslowe, Salkeld zbuloi fakte që i mundësuan përcaktimin e personazhit historik më të afërt me prototipin e Dark Lady, e cila përmendet në sonetet e Shakespeare.
Sipas Salkeld, “Black Luce” ishte e njohur në qarqet teatrore, por edhe në bordele, pronar i të cilave ishte Gilbert East, i cili njëkohësisht ishte edhe pronar i Rose Theatre – një teatër ky konkurrent i Globe Theatre, në të cilin ishte i angazhuar Shakespeare.
“Sipas asaj që shkruan në ditarët e Henslowe, Gilbert East dhe Shakespeare shumë shpesh drekonin bashkë. Kështu që, sipas meje, nuk ka asnjë dyshim se gruaja që shkrimtari në sonetet e tij e quan ‘engjëlli im i lig’, s’është askush tjetër pos Black Luce”, pohon Salkeld.
Ndryshe, asokohe Black Luce ishte shumë e popullarizuar brenda qarqeve të ndryshme londineze.
“Duke marrë parasysh sharmin dhe dukjen e saj, nuk habit fare që ajo mund të ketë lënë përshtypje të thella tek Shakespeare”, përfundon Salkeld.
Supozimet e para se Black Luce do të mund të ketë qenë ndonjë ‘zonjë e natës’ në Britaninë e Madhe janë dëgjuar që në vitet e 30’a të shekullit 20. Profesori Salkeld duket se gjeti një konfirmim të ri të këtyre supozimeve.
SEEcult.org