E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabregas, lojtar kyç i Barcelonës

Ylli i Barcelonës, Xavi Hernandez insiston se mesfushori Cesc Fabregas do ta luajë një rol kyç në ekipin katalunas, përkundër formës së dobët nëpër të cilën po kalon.

Ish futbollisti i Arsenalit vuajti nga humbja e formës në fund të sezonit të shkuar. Futbollisti e kishte pranuar se kishte një ‘bllokim mental’ dhe probleme për t’u adaptuar në sistemin e Pep Guardiolës.

“Cesc është lojtar i rëndësishëm për ekipin. Ai do ta bëjë diferencën gjatë sezonit dhe do të realizojë gola vitalë për ne”, deklaroi Xavi për ueb faqen spanjolle ‘As’. 32 vjeçari më pas foli edhe për fitoren 1:0 ndaj Valencias të dielën, falë golit që e realizoi mbrojtësi Adriano në pjesën e parë.

“Unë nuk luftoj kurrë për t’u bërë lojtari i ndeshjes. Unë e bëj këtë për ekipin dhe ne e bëmë atë. Morëm tri pikë të rëndësishme. Nuk ishte lojë e mirë e jona, por morëm rezultat të mirë ndaj një ekipi të fortë”, përfundoi veterani i mesfushës.

Xavi dhe Fabregas janë ftuar te Spanja për ndeshjen miqësore ndaj Arabisë Saudite dhe ndaj Gjeorgjisë, në nismë të fushatës së kualifikimeve për Botërorin 2014.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›