E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sektori i bujqësisë, Sejko: Kreditim bizneseve të vogla e të mesme, norma e interesit deri në 2%

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Banka e Shqipërisë organizoi sot në Tiranë, tryezën e diskutimit me temë: “Kreditimi i Sektorit Bujqësor: Identifikimi i rrugëve dhe krijimi i instrumenteve për një progres cilësor në kreditimin e sektorit bujqësor”.

Në këtë takim morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, ministri i Financave Petrit Malaj, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, drejtues të sistemit bankar dhe përfaqësues të shoqërive të agrobiznesit.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, tha se, “Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 25 miliardë lekësh të destinuar për të mbështetur kreditimin e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme. Ky program, i cili do të vihet në zbatim nëpërmjet bankave tregtare, ofron mundësi për uljen e ndjeshme të kostos së kredisë për këto biznese, e cila mund të arrijë edhe deri në 2%, por gjithsesi, nuk do të kalojë nivelin e 3,5%, duke iu krijuar atyre mundësi të investojnë në asete fizike, mjete kapitale apo platforma teknologjike, të cilat i shërbejnë rritjes së produktivitetit”, tha Sejko.

“Kjo masë e jashtëzakonshme e Bankës së Shqipërisë përbën një oportunitet të rëndësishëm për nxitjen e kreditimit ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme në përgjithësi, dhe të atyre që operojnë në sektorin e bujqësisë në veçanti. Ky orientim mund të përfitojë më tej nga programe mbështetëse në formën e skemave të ndarjes së rrezikut nga qeveria, për të cilat besoj do të diskutohet në vijim në këtë tryezë”, u shpreh Sejko.

Ai i bëri apel industrisë bankare për një vëmendje më të madhe ndaj zhvillimit të produkteve financiare të përshtatura për bujqësinë, produkte të cilat marrin parasysh ciklin e prodhimit bujqësor dhe sezonalitetin e të ardhurave të fermerëve, si dhe ndaj eksplorimit të të gjitha lehtësive të ofruara nga partnerët tanë financiarë ndërkombëtarë, në drejtim të gjenerimit të fondeve dhe ndërtimit të instrumenteve për mbështetjen që ky sektor meriton.

“Rëndësia ekonomike dhe sociale e këtij sektori është e lexueshme në një sërë treguesish. Sektori bujqësor punëson rreth një të tretën e forcës punëtore të vendit dhe gjeneron rreth 20% të prodhimit kombëtar. Megjithatë, edhe pas tri dekadash tranzicion, ai vijon të karakterizohet nga një nivel i ulët produktiviteti dhe të ardhurash. E ardhura mesatare për frymë në zonat rurale është afërsisht sa 50% e të ardhurës mesatare për frymë në zonat urbane”, theksoi Guvernatori.

Sipas tij, problemet e zhvillimit të sektorit bujqësor janë komplekse dhe në pjesën më të madhe të tyre kanë të bëjnë me dobësi strukturore të sistemit të prodhimit dhe të zinxhirit tregtar që nxjerr produktet në treg.

“Megjithatë, nuk mund të mohohet se një ndër problemet kronike me të cilin është përballur ky sektor ka qenë dhe mbetet aksesi i tij i pakët në financim”, tha Guvernatori.

Sejko tha se, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat jemi përballur, ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive gjatë dekadës së fundit.

“Në këtë hark kohor, vëllimi i aktivitetit ekonomik në terma realë është rritur me 39%, ndërsa të ardhurat mesatare për frymë janë rritur me 58%. Në terma nominalë, ekonomia shqiptare ka kaluar nga një ekonomi prej rreth 10 miliardë eurosh në vitin 2014, në një ekonomi prej pothuaj 25 miliardë eurosh në vitin 2024. Kjo rritje ekonomike ka gjeneruar rritje të punësimit, të pagave dhe të mirëqenies së shoqërisë shqiptare. Në të njëjtën kohë, parametrat kryesorë të shëndetit ekonomik dhe financiar të vendit: Inflacioni, borxhi publik, borxhi i huaj, kreditë me probleme dhe bilancet e sektorit bankar, kanë ardhur në përmirësim”, tha ai.

Guvernatori vuri në dukje se, rritja e sektorit privat, politikat e kujdesshme monetare, fiskale e financiare, si dhe reformat e vazhdueshme strukturore, kanë mundësuar një ambient stimulues për nxitjen e konsumit dhe të investimeve dhe sektori bankar është shndërruar në një partner të besueshëm për familjet dhe bizneset shqiptare. Ai është transformuar nga një gjenerues dhe amplifikues goditjesh në dekadën e dytë të tranzicionit, në një amortizues të tyre dhe promotor zhvillimi në dekadën e fundit.

Sejko theksoi se kredia për sektorin privat shënoi një normë rritjeje prej 16% gjatë vitit 2024, normë e cila nënkupton një rritje prej rreth 110 miliardë lekësh të portofolit të kredisë, duke përbërë fluksin kryesor të mbështetjes financiare të ekonomisë.

Duke u ndalur në sektorin bujqësor ai theksoi se, bujqësia ndër sektorët madhorë të ekonomisë shqiptare, ka ecuri e cila diktohet nga disa probleme strukturore, ku veçoj: fragmentarizmin e tokës, nivelin e ulët të mekanizimit, si dhe integrimin e pakët horizontal dhe vertikal midis fermerëve, tregut dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë. Në të njëjtin plan, kredia për sektorin bujqësor përbën më pak se 2% të kredisë bankare për bizneset.

“Ecuria, ende larg dëshirës dhe nevojave që sektori bujqësor ka për kredi, pasqyron si realitetin e rrezikut që mbart kreditimi i këtij sektori, si pasojë e natyrës së aktivitetit, e problemeve të tij strukturore, si dhe e mungesës së kolateralit, ashtu edhe kostot e larta të kreditimit. Megjithatë, rritja e vëmendjes suaj ndaj kreditimit të tij është një çështje me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit. Studimet e kryera në këtë drejtim, kanë evidentuar se kreditimi i sektorit bujqësor ka një impakt dy herë më të madh në reduktimin e varfërisë krahasuar me kreditimin e sektorëve të tjerë të vendit”, u shpreh Guvernatori.

Ai tha se, nisma e fundit e Bankës së Shqipërisë për miratimin dhe vënien në zbatim të një Programi Financimi për biznesin mikro, të vogël dhe të mesëm, ofron një mundësi për hapjen e një kapitulli të ri në kreditimin e sektorit bujqësor.

“Ky program vjen në përgjigje të shqetësimit e kërkesave të vetë biznesit, por edhe të analizave tona, të cilat konstatojnë një ecuri të diferencuar të kreditimit ndërmjet bizneseve të analizuara sipas madhësisë. Megjithëse biznesi mikro, i vogël dhe i mesëm përbën shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar diçka më shumë se 80% të vlerës së shtuar dhe duke punësuar pothuajse 80% të fuqisë punëtore në vend, ky sektor është katër herë më pak i kredituar se biznesi i madh dhe korporatat. Ky fenomen vjen si pasojë e shumë faktorëve, një pjesë të të cilëve jemi përpjekur t’i adresojmë nëpërmjet këtij programi”, deklaroi Sejko.

Banka e Shqipërisë organizon tryezë për Bujqësinë 1 nga 8

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›