E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Financimi në bujqësi, Rama: Investimet në serra dhe agropërpunim prioritet

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në tryezën e diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi financimin në bujqësi, ku përmes një instrumenti bankar me një linjë financimi prej 250 milionë euro do të mbështeten investimet në serra, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.

Kreu i qeverisë theksoi se ulja e kërkesave për kolaterale do të bëjë më të lehtë për bankat të ofrojnë kredi për sektorin bujqësor.

“70%-shi i ulur i kërkesave për kolaterale do të jetë një lehtësim i madh për bankat, që në mënyrë të përsëritur në takimet tona e kanë bërë të qartë të paktën për mua gatishmërinë për të mbështetur por, edhe nevojën për tu mbështetur, pasi flasim për një sektor që është shumë i ekspozuar ndaj rrisqeve që kanë të bëjnë me të gjithë befasitë klimatike, përveç të gjitha të tjerave, befasi që janë shtuar shumë kohët e fundit”.

“Është kthyer në një karakteristikë rënia e volumeve të reshjeve të përqendruar në një kohë shumë të shkurtër dhe të barabarta me volumet e reshjeve që dikur shtriheshin 1-2-3-4 muaj që e bën shumë problematik këtë raport mes garancisë së një investimi edhe riskut”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se “duke pasur parasysh edhe eksperiencën, edhe dijen, edhe vullnetin e qartë për këtë bashkëpunim, unë jam i bindur që ne do të bëjmë një histori të re suksesi ku të gjithë do të dalin të fituar edhe ata që do të investojnë, edhe ata që do të financojnë, edhe vendi në tërësi, që do të marrë shumë të tepër mbrapsht nga kjo përpjekje e përbashkët”.

Rama nënvizoi po ashtu se “investimet në serra për ne janë prioritet, ministrja e theksoi, është rritur në mënyrë të ndjeshme masa e territorit të mbuluar me serra, potenciali është për shumë më tepër, nevoja është për shumë më tepër, edhe kërkesa është për shumë më tepër”.

Prioritet, theksoi Rama, është edhe “investimi në agropërpunim”.

“Kemi shumë nevojë për të përpunuar produkte në vend dhe për të rritur volumin e krijuar nga zinxhiri i vlerës brenda vendit”, u shpreh Rama.

Rama shtoi po ashtu se “kemi shumë nevojë edhe për dijen në raport me konkurrueshmërinë në tregje, dhe këtu do të stimulojmë sa kemi mundësi platformat inovative duke përdorur teknologjinë”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›