E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 100 mijë euro false

 

Në pranga u vu edhe pronari i një agjencie të këmbimit valutor ku u sekuestruan rreth 40 mijë euro

LEZHË - 100 mijë euro është shuma e sekuestruar dje nga policia gjatë një operacioni të zhvilluar në Lezhë. Të gjitha dyshohet se janë të falsifikuara. Operacioni i djeshëm, i koduar me emrin “Falsifikatori” vuri në pranga Andrea Markajn, 55 vjeç, dhe 61-vjeçarin Luigj Malaj, nga të cilët, i pari ishte pronar i një agjencie këmbimi valutor.

Hetimi

Prej disa kohësh policia e Lezhës kishte sekuestruar kartëmonedha false prej 20 eurosh, fakt që kishte bërë që sektori i luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar të niste hetimet për prejardhjen e tyre. Lidhur me këtë, u arrit të siguroheshin disa kartëmonedha false të cilat dilnin nga agjencia e këmbimit valutor të Andrea Markajt. Pas verifikimit, policia ushtroi një kontroll të befasishëm duke sekuestruar rreth 40 mijë euro, të cilat dyshohet të jenë të gjitha të falsifikuara. Kontroll u ushtrua edhe në banesën e Markajt, si dhe të të dyshuarit të dytë, Luigj Malaj, ku u arritën të sekuestroheshin euro të tjera.

Policia

Uniformat blu të Lezhës bënë të ditur se falsifikimi i kartëmonedhave euro ishin të një cilësie të lartë. Nxjerrja e tyre përmes agjencisë së këmbimit valutor, duket se ka qenë një zgjedhje e përkryer e dy personave të akuzuar për falsifikim, pasi dyshimet për të kanë qenë të ulëta. Shuma totale e sekuestruar nga policia deklarohet të jetë 100 mijë euro. Dyshimet e para janë se eurot e falsifikuara vijnë nga Kosova, megjithatë ende nuk ka një vijë që të provojë përfundimisht për ardhjen e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›