Sekuestrohen 56 kg hashash në Tiranë

Policia e Tiranës ka sekuestruar 56 kilogramë lëndë narkotike hashash. Droga është sekuestruar në një frugon në Bathore dhe në pranga kanë rënë dy persona. Të arrestuarit, në kuadër të operacionit policor “Start 2013”, janë dy vëllezërit; Fatos Idriz Hidaj, 35 vjeç dhe Edmond Idriz Hidaj, 28 vjeç, lindur dhe banues në Krujë.
Arrestimi në flagrancë i tyre është bërë nga policia gjatë transportit të drogës nga qyteti i Krujës për në drejtim të kryeqytetit. Droga kishte destinacion shitjen për tregun e Tiranës. Arrestimi i tyre është bërë në qendër të Bathores Tiranë, teksa ishin duke udhëtuar me një furgon model “Reno”, raporton NOA.
Droga ishte vendosur në 6 thasë. Hetimet e policisë po vazhdojnë për të identifikuar vendin ku do të shitej droga dhe personat që do ta shpërndanin atë./Indeksonline/