E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selanik, konfrontime mes protestuesve dhe policisë

SELANIK-Në orët e pasdites u vërejt tension në mesin e protestuesve në Selanik, të cilët rrethuan godinën, ku gjendet salla e konferencave “I.Vellidis”, ku Papandreu mban një fjalim sonte.

Protestuesit janë përpjekur të rrëzojnë gardhin metalik për t’iu afruar ndërtesës dhe kanë qëlluar drejt policisë me sende të forta e shishe. Kjo e fundit është përgjigjur me granata tymuese e gaz lotsjellës.

Demonstruesit rrethuan godinën duke hedhur parrulla që i kërkojnë qeverisë të dëgjojë zërin e popullit.

Zemërimi i protestuesve duket se është rritur aq shumë saqë përvec pllakave të mermerit kanë arritur të shkulin nga toka edhe pemët.

Në tubim janë grumbulluar qindra shoferë taksish, studentë, aktivistë të sindikatave, konfederatave, tifozë të skuadrës Iraklio, anëtarë të lëvizjes “Mos paguaj”, aktorë të teatrove të Greqisë veriore etj.

Thuhet se ky i sotmi është grumbullimi më i madh në vitet e fundit, në një ditë si kjo në Selanik.

Policia ka shoqëruar 60 persona për përdorimin e fishkezjarrëve dhe 2 prej tyre i ka arrestuar.

Prania e policisë sot në Selanik është e pazakontë. Rreth 5 500 policë kanë fortifikuar qytetin në gjithë zonat ku janë përqëndruar protestuesit e vecanërisht aty ku Papandreu do mbajë fjalimin e përvitshëm.

Rrugët kryesore janë totalisht të bllokuara sot deri nesër në mesditë, ku ndalohet edhe qarkullimi edhe parkimi i mjeteve.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›