E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet për ngjarjen, ende s`ka një pistë të qartë për hetimet

Ndonëse kanë filluar hetimet intensive, fill pas ngjarjes së rëndë që tronditi jo vetëm qytetin e Vlorës, por edhe mbarë opinionin publik shqiptar, atentati mafioz kundër gjyqtarit Skerdilajd Konomi vijon të mbetet i mbuluar me mister. Ngjarja tragjike e ndodhur vetëm një ditë më parë, ka ngritur në këmbë krerët më të lartë të shtetit, por edhe strukturat më të specializuara të policisë shqiptare, për të hedhur dritë mbi ekzekutimin me tritol, në mënyrë të telekomanduar në automjetin e 35 vjeçarit Konomi.

Mësohet se grupi hetimor, i cili po analizon me detaje ngjarjen e së premtes, po punon në tre pista kryesore. Dyshimet janë hedhur në një atentat të mundshëm për shkak të detyrës dhe për këtë, grupi hetimor ka kërkuar nga Gjykata e Vlorës dosjet që Konomi ka gjykuar në 6 mujorin e fundit. Pista e dytë ka të bëjë më çështjet e pronësisë, pasi gjyqtari ishte përfshirë në një akt gjyqësor për 40 ha tokë në Gjirin e Lalzit në Durrës, ndërsa alternative e tretë, të paktën deri tani është ajo e një konflikti personal, pavarësisht dëshmive pozitive nga persona të afërm të tij.

Sipas hetimeve paraprake, bëhet e ditur se krimi ka qenë i organizuar dhe i planifikuar më parë, pasi atentatorët e kanë detyruar gjyqtarin në mënyrë indirekte të niset për në punë, jo me automjetin e tij luksoz, që e kishte blerë vetëm pak kohë më parë, por me makinën e familjes, që sipas ekspertëve është lehtësisht për të ndërhyrë në të. Konomi mësohet se e ka gjetur automjetin personal me goma të shpuara, duke u detyruar të marrë makinën e bashkëshortes, pa ditur se rruga me të do të ishte fatale për të. Megjithatë, hetimet vazdojnë, ndërsa policia ka vënë në dispozicion një shumë prej 100 mijë eurosh, për identifikimin e atentatorëve të këtij krimi të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›