Selimi: Vendimi jo i drejtë

Pas bllokimit të miellit në doganën e Morinë, ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sulejman Selimi e ka cilësuar bllokimin e miellit të ardhur nga Kosova si jo të drejtë duke nënvizuar se situata të tilla nuk duhet të ndodhin mes dy vendeve.
“Kemi kontaktuar me Ministrinë e Ekonomisë për këtë çështje. Është hera e parë që kompanisë i kërkohet certifikata e aflatoksinës. Situata të tilla nuk duhet të ndodhin mes dy vendeve, ne presim që kjo çështje të zgjidhet” deklaroi Selimi gjatë një prononcimi për mediat.
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka vendosur dje bllokimin e përkohshëm të importit për miellin që vjen nga Kosova.
Burime nga MBUMK-ja bënë të ditur se, gjatë ditëve të para të muajit mars ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, ka lëshuar një urdhër që kërkon angazhimin e një sërë institucionesh në varësi të MBUMK për shtimin e kontrolleve dhe masave për të parandaluar praninë e Aflatoksinave në qumësht dhe ushqime.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti reagoi dje për të ashtuquajturat ‘tensione’ tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas Panaritit duhet të pengohet dëmtimi i interesave të konsumatorëve. /Indeksonline/